Katër persona janë vënë nën prangat e policisë në Fier, ndërkohë që tre të tjerë janë proceduar penalisht.
Kamerieri me inicialet B.V., i cili ishte punonjës në lokalin e shtetasit Sh. B., u kap në flagrancë nga policia me një telefon celular me të cilin dyshohet se ushtronte aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit dhe basteve sportive.
Në pranga u vu një 30-vjeçar, shtetasi B. V., banues në Patos për veprën penale “Organizim i lotarive të palejuara” dhe proceduan penalisht shtetasin Sh. B., banues në Fier, për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
Një i mitur, shtetasi O. M., 16 vjeç, i shpallur në kërkim për vjedhje është kapur në Drizë të Fierit. Ky shtetas iu dorëzua shërbimeve të Policisë Tiranë për veprime të mëtejshme.
56-vjeçari me inicialet A.G., u arrestua për për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, ndërsa 63-vjeçar P. M., u arrestua në flagrancë, pasi duke drejtuar pa leje drejtimi automjetin tip “Volkswagen” është përplasur me automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin J. H., duke shkaktuar dëme materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier proceduan penalisht shtetasit E. L., 67 vjeç, banues në Fier (ish-regjistrues në ZRVPP Fier) dhe D. F., 77 vjeç, pasi dyshohet se kanë falsifikuar dokumentet e një sipërfaqeje toke në fshatin Bishan, ku më parë ndodhej fusha e sportit e këtij fshati.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Top Channel