Sajuan fatura me vlerë 6 milionë euro/ Mashtruan me taksat, ngelen në burg

12/11/2021 15:16

Gjykata e Durrësit la në burg 2 prej 5 të arrestuarve të prokurorisë dhe hetimit tatimor, për mashtrime që i kanë kushtuar arkës së shtetit një dëm ekonomik në shumën e 6 milion eurove.

Të dyshuarit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar shoqëri fiktive që të mos paguanin detyrimet tatimore, ndërsa operonin në sektorin e ndërtimit dhe sektorë të tjerë të padeklaruar zyrtarisht, duke punësuar dhe persona në të zezë.

Regan Merdani dhe Ali Agolli janë lënë në masën shtrënguese “arrest në burg”. Mbi ata rëndon akuza e “Krijimit të skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim. E njëjta vepër penale rëndon edhe ndaj Ben Caka dhe Roland Avdo, por gjykata vendosi të ndryshojë masën, duke caktuar “arrest shtëpie” për ata. Masa e sigurisë u ndryshua edhe ndaj Enis Xhaferrit, që u la i lirë në sallën e gjyqit. Ndaj tij u caktua masa e detyrimit të paraqitjes pranë policisë gjyqësore.

Tri ditë më parë, policia ekzekutoi 5 nga vendimet e dhëna nga gjykata për të dyshuarit e krijimit të skemave mashtruese për përfitim nga rimbursimi i TVSH-së. Në kuadër të hetimeve disa mujore, hetuesit financiar nën drejtimin e prokurorisë Durrës siguruan dhe ekzekutuan vendimet e datës 7 nëntor të Gjykatës së Durrësit, për masën e sigurisë “arrest me burg” për 7 persona dhe detyrim paraqitje per 3 shtetas të tjerë, si dhe sekuestro preventive për disa prona që kapin vlerën e 2 milion eurove. Mes të arrestuarve që u la sërish ‘arrest në burg’ nga gjykata dhe pronari i një kompanie hekur-nikeli në zonën e Bilishtit.

Asetet e sekuestruara për këtë çështje janë shoqëria “Alfa Nikel”, një hidrocentral i ndërtuar në Dhërmi, si dhe një apartament me sipërfaqe 215 m2. Ndërkohë gjatë kontrolleve në banesa u sekuestrua dhe një kasë fiskale që dyshohet se përdorej për prodhimin e faturave fictive. Nga ky aktivitet kriminal i skemave mashtruese me TVSH-në dhe shmangien e detyrimeve tatimore përmes krijimit të 5 subjekteve fiktive, dëmi i shkaktuar ka qenë tejet i lartë dhe vijojnë hetimet për sekuestrimin e të tjera pasurive të fituara nga ky aktivitet i paligjshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA