Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe tre deputetë të tjerë dorëzuan këtë të premte në Kuvend një projekt-rezolutë që sipas tij lidhet me situatën e tensionuar në rajon.
Në një deklaratë për mediat, Media tha se kjo projekt-rezolutë do të diskutohet me përfaqësuesit e partive politike në mënyrë që të arrihet një rezolutë e plotë ku përfaqësohen qëndrimet e Parlamentit dhe forcave politike shqiptare, me synimin për të njësuar një qëndrim mbarëshqiptar në raport me zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit.
“Siç e kam theksuar edhe më parë është një situatë shqetësuese që na detyron të jemi të gjithë në një zë, në një qëndrim dhe në një frymë bashkëpunimi dhe konsultimi me partnerët tanë ndërkombëtarë. Konkretisht rezoluta thekson se Kuvendi i Shqipërisë, duke ndjekur më vëmendje të veçantë rritjen e tensioneve ndër etnike në rajonin tonë, tensione me rrezikshmëri të lartë për ngjalljen e konflikteve të përgjakshme, të cilat janë në thelb të lidhura me politikën e Serbisë ndaj fqinjve të vet, Bosnje e Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi. Duke u bashkuar me shqetësimin e shprehur nga PE-ja, Kongresi Amerikan, Parlamenti Britanik nga disa qeveri të vendeve europiane dhe shumë analistë seriozë në BE dhe SHBA. Një shqetësim i mbështetur në përpjekjet e fundit të republika Sërbska për t’u shkëputur nga Bosnje Hercegovina dhe që minon marrëveshjen e Paqes të nënshkruar në Dejton në vitin 1995 me ndërmjetësimin e SHBA-së”, tha kreu i PR-së.
Rezoluta në fjalë përmban 5 pika drejtuar qeverisë shqiptare, ku ndër të tjera i kërkohet që këtë shqetësim ta përcjellë në institucionet ndërkombëtare si NATO, OSBE apo edhe Këshillin e Evropës.
Pesë kërkesat e rezolutës
1-Të ngarkojë qeverinë e Shqipërisë në këshillim me partnerat tanë që të adresojë këtë problematikë në NATO
2- Përmes delegacioneve të veta në NATO, OSBE, KIE, dhe institucione të tjera ta shpërndanë këtë rezolutë dhe ta bëjë objekt debati.
3- I kërkon qeverisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në OKB të përcaktojë objektivat për rajonin dhe Kosovën.
4- Të shtohet mbështetja për integrimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare duke shpjeguar se lënia e këtij shteti jashtë ekspozon atë dhe rajonin përballë kërcënimeve ruso-serbe dhe destabilizimit të Ballkanit
5-Ka ardhur koha të zhvillohet një forum ndërparlamentar Shqipëri, Mali i Zi, Kosovë dhe Maqedonia e Veriut me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike parlamentare shqiptare.
Nga foltorja e Kuvendit pak kohë më parë, kreu i PR-së Fatmir Mediu është shprehur se Rusia po ndërhyn në rajon me qëllim destabilizimin. Ai tha se Moska po nxit presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç për të kthyer vendin e tij në shtetin më të fuqishëm në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, Beogradi dhe Moska po akuzojnë qeverinë e Kosovës se po kërcënon ekzistencën e minoritetit serb, duke përgatitur në këtë mënyrë terrenin propagandistik për konflikt në rajon.
“Zyrtarët rusë po nxisin qeverinë e Vuçiç që ta transformojë Serbinë në fuqinë dominuese të Ballkanit Perëndimor dhe, kështu, të shtojnë shanset e Rusisë ndaj Uashingtonit dhe Brukselit. Në shtator, Beogradi organizoi bllokimin përgjatë kufirit me Kosovën, dhe pasi vendosi trupat e tij në gatishmëri, kërcënoi me ndërhyrje ushtarake. Ambasadori rus Aleksandër Botsan-Kharchenko shoqëroi ministrin e Mbrojtjes të Serbisë Nebojsha Stefanoviç gjatë inspektimit të njësive ushtarake serbe. Terreni propagandistik për konflikt është gjithashtu duke u përgatitur. Beogradi dhe Moska e akuzojnë qeverinë e Kosovës se po kërcënon ekzistencën e minoritetit serb”,-deklaroi Mediu.
Top Channel