Perëndimi dënon Bjellorusinë për krizën në kufi

12/11/2021 08:00

Vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara dënuan Bjellorusinë për shkak të krizës me migrantë në kufirin e saj me Poloninë.

Në një deklaratë të lëshuar pas takimit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, SHBA-ja, Britania, Estonia, Franca, Irlanda, Norvegjia dhe Shqipëria dënuan, siç thanë, “instrumentalizimin e orkestruar të qenieve njerëzore”.

Sipas tyre, jetët dhe mirëqenia e njerëzve janë vënë në rrezik “për qëllime politike nga Bjellorusia”.

“Kjo taktikë është e papranueshme dhe kërkon një reagim të fortë ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.

Sipas saj, regjimi i udhëheqësit autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, është duke u bërë kërcënim për stabilitetin rajonal.

Udhëheqësit e BE-së e kanë akuzuar Minskun për tërheqjen e migrantëve nga konfliktet dhe varfëria në Lindjen e Mesme dhe Afrikë dhe më pas shtyrjen e tyre drejt kufijve me Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë – që të tria vende anëtare të BE-së.

Sipas Brukselit, Bjellorusia e bën këtë për t’u hakmarrë për sanksionet që i ka vënë BE-ja.

Rreth 2,000 migrantë janë përpjekur të kalojnë kufirin për muaj të tërë, por kriza është thelluar më 8 nëntor, kur qindra njerëz kanë bërë përpjekje të përbashkëta për të kaluar kufirin, ndërsa janë shtyrë prapa nga rojet kufitare polake.

Migrantët kanë ngritur kamp në kufi, ndërsa djegin dru nga pylli për t’u përballur me temperaturat e ftohta.

Ekipet nga Agjencia e OKB-së për Refugjatë, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin dhe Kryqi i Kuq kanë vizituar kampin më 11 nëntor, për të kontrolluar kushtet dhe për të ofruar ndihma.

Deklarata e lëshuar pas takimit të Këshillit të Sigurimit nuk përmend aleaten e Bjellorusisë, Rusinë, e cila ka hedhur poshtë akuzat e Perëndimit se po bashkëpunon me Minskun për të dërguar migrantë në kufirin lindor të BE-së.

Presidenti rus, Vladimir Putin, bisedoi për herë të dytë brenda ditësh me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe “foli në favor të rivendosjes së kontakteve midis shteteve të BE-së dhe Bjellorusisë, për të zgjidhur këtë problem”, njoftoi përmes një deklarate Kremlini.

Bashkimi Evropian refuzoi. Blloku i ka ndërprerë lidhjet dhe ka vendosur sanksione kundër Bjellorusisë, për shkak të shtypjes së opozitës, që ka nisur qysh në gusht të vitit të kaluar.

Lukashenka tha se Minsku “duhet të përgjigjet” nëse BE-ja merr masa të reja, duke përmendur mundësinë e ndërprerjes së transitit në një tubacion, që transporton gazin natyror rus përmes Bjellorusisë në Poloni dhe më tej në Evropë.

“Ne po e ngrohim Evropën dhe ata po na kërcënojnë”, tha Lukashenka. “Po sikur t’i ndalojmë furnizimet me gaz natyror?”, pyeti ai./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA