Një grup parlamentarësh evropianë i kërkuan hapur presidentit serb dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë ti japin fund lavdërimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe mohimit të gjenocidit të kryer në Bosnje në vitet 1990.
Deklarata e tyre erdhi dy ditë pasi policia e Serbisë pengoi aktivistët e të drejtave të hidhnin bojë mbi një murale të madhe në qendër të Beogradit, ku shihet portreti i komandantit të dënuar serb boshnjak të kohës së luftës, Ratko Mlladiç.
Një gjykatë ndërkombëtare për krimet e luftës e ka dënuar Mlladiçin me burgim të përjetshëm për gjenocid në enklavën boshnjake të Srebrenicës në vitin 1995, kur rreth 8,000 burra dhe djem boshnjakë të cilët ishin kryesisht myslimanë, u vranë nga trupat e tij gjatë luftës në Bosnje.
Kjo kujtohet si masakra më e rëndë ne Europë që nga nga Lufta e Dytë Botërore. Zyrtarët serbë kanë mohuar vazhdimisht se është kryer gjenocid në Srebrenicë dhe autoritetet nacionaliste të vendit kanë toleruar portretizimin e kriminelëve të dënuar serbë të luftës, përfshirë Mlladiçin, si heronj dhe luftëtarë të lirisë.
“Mbrojtja policore e muralit është një tjetër shembull i asaj që qeveria e Serbisë dhe presidenti Aleksandar Vuçiç mendojnë në lidhje me pajtimin, sundimin e ligjit, demokracinë dhe bashkëpunimin rajonal”, thuhet në deklaratë. “Është krejtësisht e papranueshme që një vend kandidat për në BE të vendosë policinë e tij për të mbrojtur një mural të të dënuarve për krime lufte,” shtohet atyre.
“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të ndalojnë mohimin e gjenocidit të Srebrenicës dhe glorifikimin e kriminelëve të dënuar të luftës”, vazhdon deklarata. Vuçiç, një ish-ultranacionalist, i hodhi poshtë kritikat e BE-së, duke thënë se “ato fjalë nuk kanë brenda tyre asgjë tjetër veç urrejtjes për serbët”.
Top Channel