Lindshmëria në Shqipëri po tkurret me ritme të shpejta. Edhe tremujori i tretë i këtij viti regjistroi më pak lindje pasi sipas Instat numri i tyre arriti në 7 400, rreth 600 foshnja më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Edhe pse së bashku me Gjirokastrën vijon të mbetet qarku me lindhshmërinë më të ulët, Kukësi është i vetmi që ka shënuar rritje të lindshmërisë këtë tremujor, teksa planifikimi familjar dhe emigracioni i lartë ka bërë që në 11 qarqet e tjera të vendit statistikat të flasin për rënie të ndjeshme të numrit të tyre.
Tirana, ku është përqendruar edhe pjesa më e madhe e popullsisë rezulton edhe qarku me numrin më të madh të lindjeve e mbi 2500 foshnja të ardhura në jetë, ndjekur nga qarku i Durrësit me 870 lindje, Fierit dhe Elbasanit përkatësisht me 669 dhe 661 lindje.
Nga ana tjetër, është ulur ndjeshëm vdekshmëria në tremujorin e tretë në 6000 raste vdekjesh, nga mbi 6600 që rezultonin në të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Kjo ulje e vdekshmërisë është evidentuar në 9 qarqe të vendit përgjatë muajve korrik-gusht, ndërsa në tre qarqet e tjera kanë shënuar rritje përkatësisht në Vlorë, Berat dhe Fier.
Ndërsa si raport 9-mujor, norma e vdekshmërisë në vend arriti në total në 21 300 raste, mbi 4 mijë më shumë se një vit më parë.
Ndërsa ka rezultuar pozitive shtesa natyrore e popullsisë në tremujorin e tretë me 1 367 lindje më shumë se vdekje. Ky tregues ka rezultuar pozitiv në gjashtë qarqe të vendit kryesuar nga Tirana me vlerën më të lartë të shtesës natyrore ku numri i lindjeve tejkalonte me 185 atë të vdekjeve, ndërsa në 6 qarqe të tjera vdekjet rezultonin më të larta se lindjet.
Top Channel