Lëvizja BESA ka përjashtuar nga partia deputetin Kastriot Rexhepi, për shkak se ky i fundit nuk mori pjesë këtë të enjte në seancën parlamentare për të mbështetur mocionin e mosbesimit kundër kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Lajmi është konfirmuar nga kryetari i partisë, Bilall Kasami, sipas të cilit, Rexhepi veproi në kundërshtim me vendimin e partisë dhe për rrjedhojë dëmtoi rëndë prestigjin e Lëvizjes BESA.
“Unë si Kryetar partie, konform normave statutore përkatësisht nenit 14 paragrafit 3 pika 3.3 të Statutit të Lëvizjes BESA, anëtarin e lartëpërmendur e përjashtoj nga të gjitha pozicionet partiake dhe të qenurit anëtar i Lëvizjes BESA. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, shkruan Kasami.
Opozita në Maqedoninë e Veriut nuk arriti të sigurojë të enjten votat e nevojshme për ta rrëzuar qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev, pasi ishte deputeti i Lëvizjes BESA, Kastriot Rexhepi, ai që prishi planet e partive opozitare.
Partitë opozitare ishin të bindura për sigurimin e votave, deri në momentin kur deputeti Rexhepi nuk u paraqit në seancë, por zgjodhi të publikonte një mesazh dhe pastaj një video në rrjetin social Facebook, ku theksonte se kishte zgjedhur rrugëtimin euro-atlantik dhe jo një iniciativë të tillë opozitare, të cilën e konsideronte antishqiptare dhe antiperëndimore.
“Duke patur parasysh momentumin politik, pas shtyrjes të dorëheqjes nga kryeministri Zaev, për hir të procesit dhe sinjalet e forta nga partnerët strategjik si SHBA dhe shtetet e BE-së që më janë komunikuar nga përfaqësues të lartë diplomatik, se në muajin dhjetor vendi ka gjasa të mëdha të marrë datë për fillim e bisedimeve për anëtarësim në BE, vendosa që mos të marrë pjesë në seancën parlamentare ku duhej të merret vendimi me të cilin do vihet në pikëpyetje ky pikësynim jetik kombëtar dhe shtetëror”, shkruan ai.
Në mesazhin e tij, deputeti i Lëvizjes BESA, theksonte se si politikan dhe si një deputet i përgjegjshëm e mori këtë vendim jo të lehtë, duke vënë sipas tij në radhë të parë interesin e popullit dhe të shtetit. Rexhepi shpreh bindjen se shteti i Maqedonisë së Veriut, në këtë periudhë të rëndësishme, nuk ka nevojë për krizë politike dhe zhytje në ujërat të turbullta me plot të panjohura.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë punën e saj, pasi opozita nuk arriti t’i sigurojë votat e nevojshme për mocionin e mosbesimit.
Pak para mesnatës së ditës së enjte, kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi, ka mbyllur seancën duke konstatuar se në mungesë të deputetëve të opozitës që paraqitën nismën, si dhe mungesës së kuorimit të nevojshëm, Kuvendi nuk e ka votuar nismën e saj.
Opozita maqedonase dhe ajo shqiptare janë larguar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, rreth orës 22.00 të ditës së enjte(11 nëntor), pasi nuk arritën të sigurojnë 61 vota për të votuar mocionin e mosbesimit të Qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut numëron 120 deputetë dhe për t’u mbajtur seanca nevojitet prania në sallë e 61 deputetëve, aq sa nevojiten edhe për mocionin e mosbesimit të qeverisë.
Top Channel