Hovi i infektimeve në Gjermani nuk ka të ndalur; Instituti Robert Koch njoftoi se janë regjistruar 48.640 raste të reja ndërsa një ditë më parë u shënua shifra rekord e 50.196 të prekurve nga koronavirusi.
Incidenca shtatëditore në vend ka arritur po ashtu një nivel tjetër të paprecedent prej mbi 249 të infektuar në 100.000 banorë.
Si pasojë e përkeqësimit dramatik të gjendjes, Këshilli Gjerman i Etikës rekomandon që të rishikohet mundësia e vaksinimit të personave që punojnë në profesione të caktuara.
“Duke pasur parasysh situatën aktuale, Këshilli tani rekomandon, pa asnjë votë kundër dhe me tre abstenime, rishikimin e shpejtë dhe marrjen e një vendimi për vaksinimin e detyrueshëm për personat që punojnë me grupet e rrezikuara nga virusi Corona“, deklaroi Komisioni, i cili është edhe këshilldhënës i qeverisë gjermane.
Si koalicioni qeveritar në largim ashtu edhe koalicioni i mundshëm i socialdemokratëve, ekologjisëve dhe liberalëve e kanë refuzuar deri tani mundësinë e futjes së vaksinimit me detyrim.
Por në popull mund të vërehet ndryshimi i disponimit.
Në një sondazh të Institutit YouGov, të bërë me kërkesën e Agjencisë gjermane të lajmeve DPA, një shumicë e madhe e të anketuarve shprehen në favor të vaksinimit të detyruar sidomos për grupe njerëzish që punojnë në profesione të caktuara, si personat që kujdesen për të moshuarit apo ata që punojnë në spitale.
Top Channel