Ish-kryeministri Sali Berisha theksoi gjatë Foltores së Sarandës se firmat e dorëzuara në selinë e PD-së për thirrjen e Kuvendit Kombëtar janë të vlefshme me të gjitha kriteret e plotësuara, duke hedhur poshtë akuzat e Lulzim Bashës dhe mbështetësve të tij se formularët nuk janë mbledhur dhe janë të pavlefshëm.

Sipas liderit historik të PD-së, firmat nuk bëhen publike për shkak të ruajtjes së të dhënave personale në përputhje me Konventën e të Drejtave të Njeriut.

“O peng-kryetar, shko merri kontrolli të 4200 firmat, tagër mbi to ke 0. Cilido nga ju të dashur demokratë që jeni dhe s’jeni mund të shkoni t’i lexoni të 4200, asgjë nuk fshehim ne, por ne ato nuk i publikojmë se ka një ligj, se kur ishim në maxhorancë në përputhje me Konventën e të Drejtave të Njeriut, miratuam ligjin e garantimit të të drejtave. Sot shkuan mediat dhe i panë, kush të dojë le t’i shohë. Edhe në ëndërr kur i shohin, i tmerrojnë firmat tuaja”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se frika më e madhe e kreut të PD-së janë firmat që kërkojnë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

“Frika e tij më e madhe janë firmat tuaja, tmerri jo vetëm i atij, por edhe i kreut të Meduzës, janë firmat tuaja, tmerri i madh i Gorge Sorosit që kishte parashikuar shkatërrimin e forcës konservatore në Shqipëri. janë firmat tuaja e një opozite vigane, fitimtare. Ata të cilët përpiqen si donkishotër të mohojnë firmat do bëjnë mirë të çlirohen nga frikërat e tyre, nuk janë firma që ngjallin frikë, por të shkruara me germa të arta të një partie që solli demokracinë në vend, që nxori shqiptarë nga nivele më të larta të varfërisë, që anëtarësoi Shqipërinë në NATO, në Këshillin e Evropës, e cila hoqi gjeneratorët dhe garantoi furnizimin me energji, që ndërtoi një infrastrukturë moderne, që Shqipëria të mos jetë kurrë ajo e vitit 2005, e cila bëri vetëm këtu në Sarandë të 10-fishohej turizmi. Të jeni të sigurt që do të ecim të pandalshëm drejt fitores. Edi Rama nuk është një pushtet legjitim, le të dalë kush të dojë por ne nuk ia njohim kurrë pushtetin e tij legjitim, nuk do ia pranojmë ato që u pranuan më 25 prill”, tha Berisha.

Kujtojmë se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu drejtua direkt Sali Berishës duke i thënë se nuk i kishte firmat dhe nuk i dorëzoi te organet statutore siç i di rregullat, si ish-kryetar i kësaj partie.

4200 firmat e delegatëve të nevojshme për thirrjen e Kuvendit Kombëtar u dërguan të mërkurën, në selinë e Partisë Demokratike dhe u depozituan në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, i cili gjithashtu është shfaqur si përkrahës i lëvizjes së ndërmarrë nga Berisha.

Procedura e verifikimit të firmave për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar ka përplasur palët të cilat kanë interpretime të ndryshme të statutit të partisë.

Ish-kryeministri Berisha shpjegoi se ideja për të depozituar formularët e për t’i mbajtur ato të mbyllur deri ditën e Kuvendit, vjen nga fakti që përmbajnë të dhëna personale, duke filluar që nga numri i kartës së identitetit dhe deri te ai i kartës së anëtarësisë.

Por për Gazment Bardhin, Partia Demokratike është një institucion që funksionon mbi bazën e Statutit të Partisë Demokratike dhe po ashtu ka rregulla të qarta se si mblidhen institucionet e saj, ndërsa e konsideroi një fyerje të rëndë për çdo demokrat që të pretendohet të mbahen sekret anëtarët e Kuvendit Kombëtar nga organet statutore të Partisë Demokratike.

Berisha ka përsëritur disa herë se përmes mbledhjes së Kuvendit, do të bëhen ndryshime në statut, për t’i dhënë më shumë peshë anëtarit të partisë në vendimmarrjet e saj, si dhe për të hapur një garë për kryetarin e partisë, pjesë e së cilës do të jetë dhe ai vetë.

Ish-kryeministri Berisha u rikthye publikisht në skenë, pasi kryetari demokrat vendosi largimin e tij nga grupi parlamentar demokrat, një vendim i tillë u mor pas atij të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili përfshiu Berishën dhe familjarët e tij në kategorinë e zyrtarëve të korruptuar që kishin minuar demokracinë, duke i ndalur atij dhe familjes së tij hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nga ana tjetër, ambasadorja amerikane Yuri Kim, në një intervistë për televizionin Top Channel, la të kuptohej qartë se nuk mund të ketë një bashkëpunim me një PD të drejtuar nga zoti Berisha. Ndërsa pyetjes nëse SHBA-të mbështesin kryetarin Basha, Kim iu përgjigj se “njohim personin e zgjedhur rregullisht si Kryetar i asaj Partie dhe unë do të vazhdoj të shkoj ta takoj zotin Basha në cilësinë e tij si Kryetar i Partisë. Siç e patë, ligjvënësit dhe vizitorët e tjerë nga Uashingtoni do të bëjnë të njëjtën gjë”.

Ndaj këtij qëndrimi të ambasadores amerikane, ish-kryeministri Berisha reagoi duke i kërkuar ambasadores amerikane në veçanti, por edhe kujtdo tjetër sipas tij, nëse mund të kenë vetëm një provë apo fakt të vetëm, t’ia dërgojnë pranë gjykatës në Paris.

FOTO GALERI
6/19

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA