Ish-kryeministri Sali Berisha këtë të premte ka njoftuar se Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike do të mblidhet me datë 11 dhjetor, ora 11 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Në një shënim në rrjetin social Facebook, Berisha tregon se Kuvendi Kombëtar do të mblidhet me rend dite:
– Miratimi i ndryshimeve statutore sipas propozimeve konform nenit 43/4 dhe 60 të Statutit të PDSH për rivendosjen dhe garantimin e demokracisë në vendimarrjen në forumet e Partisë Demokratike. Analiza e qëndrimeve dhe akteve të Kryetarit Basha ndaj parimeve themelore e normave të statutit dhe ndaj forumeve të Partisë Demokratike
– Vendimarrje sipas ndryshimeve statutore të propozuara dhe thirrja e referendumit të anëtarëve të Partisë Demokratike për të miratuar vendimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike
– Përcaktimi i aksionit politik opozitar të Partisë Demokratike të Shqipërisë
– Të ndryshme
– Për ndryshimet statutore do diskutohet mbi bazën e propozimeve të anëtareve të Kuvendit dhe Këshillit Kombëtar që do parashtrohen në këtë Kuvend.
Berisha sqaron se kompetencën për verifikimin e mandateve të delegatëve që thërrasin Kuvendin Kombëtar sipas statutit, si dhe të delegatëve që do të marrin pjesë në Kuvend, e ka drejtpërdrejt dhe vetëm Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, nëpërmjet organizmave të tij.
Delegatët duhet të kenë me vete ID ose pasaportë si mjet identifikimi.
Mbi tryezën e një konference shtypi të mbajtur të mërkurën në mbrëmje, ish-kryeministri Berisha kishte disa pirgje me shkresa të cilat siç deklaroi ishin formularët e firmosur nga 4200 delegatë të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Formularët u dërguan menjëherë pas konferencës, në selinë e Partisë Demokratike dhe u depozituan në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, i cili gjithashtu është shfaqur si përkrahës i lëvizjes së ndërmarrë nga Berisha.
“Në forumet e PD, për dramën e kësaj partie, i vetmi institucion brenda saj i konstituuar, pas Kuvendit, është Këshilli. Vetë kryetari nuk ka mbledhur ende kryesinë e PD. Ka frikë e tmerr nga anëtarësia. Këshilli është forumi më i lartë pas Kuvendit dhe ai është konstituuar, ka bërë një mbledhje. Prandaj për këto arsye depozitohen pranë kryetarit të Këshillit Kombëtar”, shpjegoi Berisha.
Formularët do të qëndrojnë në zyrën e zotit Paloka deri ditën e Kuvendit.
Për ish-kreun e demokratëve “verifikimi i mandateve sipas rregullit të çdo Kuvendi bëhet vetëm nga Kuvendi. Vetëm ai ka të drejtën statutore të verifikojë mandatin e zonjës apo zotërisë që ka firmosur formularin”, duke shtuar se cilido është i lirë që të shqyrtojë nga afër procesin e verifikimit të mandateve.
Gjithsesi, tjetër interpretim u dha nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi.
“Ajo që tha sot (zoti Berisha) nuk ka asnjë lidhje me Statutin e Partisë Demokratike, nuk ka asnjë lidhje me funksionimin demokratik të Partisë Demokratike. U provua qartësisht, sytë e opinionit publik që gjatë gjithë kësaj periudhe Sali Berisha ka luajtur një blof të madh me demokratët. Ai nuk ka arritur dot të mbledhë 1/4 e firmave për të vënë në lëvizje procedurën për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Nëse do të kishte mbledhur 1/4 e firmave të anëtarëve të Kuvendit Kombëtar, ai e di mjaft mirë procedurën se ku dorëzohen dhe se si është procesi për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Në fakt, ajo që pamë sot, për fat të keq është një tallje e madhe me demokratët dhe sakrificën e tyre”, deklaroi Bardhi.
Sekretari i Përgjithshëm deklaroi se është shkelur neni 47 i statutit të partisë, i cili i njeh atij kompetencën për organizmin e partisë, duke kujtuar se dhe në Kuvendin e fundit të mbajtur para pak kohësh secili prej anëtarëve u pajis me një mandat që firmoset ose nga Kryetari ose nga Sekretari i Përgjithshëm dhe me atë mandat të dhënë një muaj përpara, paraqitet në sallën ku zhvillohet mbledhja e Kuvendit dhe komisioni i verifikimit të mandateve merr në dorëzim këtë mandat.
“Asnjë komision tjetër nuk e di se cilët janë delegatët”, sqaroi Bardhi.
Ish-kryeministri Berisha shpjegoi se ideja për të depozituar formularët e për t’i mbajtur ato të mbyllur deri ditën e Kuvendit, vjen nga fakti që përmbajnë të dhëna personale, duke filluar që nga numri i kartës së identitetit dhe deri te ai i kartës së anëtarësisë.
Por për Gazment Bardhin, Partia Demokratike është një institucion që funksionon mbi bazën e Statutit të Partisë Demokratike dhe po ashtu ka rregulla të qarta se si mblidhen institucionet e saj, ndërsa e konsideroi një fyerje të rëndë për çdo demokrat që të pretendohet të mbahen sekret anëtarët e Kuvendit Kombëtar nga organet statutore të Partisë Demokratike.
Berisha ka përsëritur disa herë se përmes mbledhjes së Kuvendit, do të bëhen ndryshime në statut, për t’i dhënë më shumë peshë anëtarit të partisë në vendimmarrjet e saj, si dhe për të hapur një garë për kryetarin e partisë, pjesë e së cilës do të jetë dhe ai vetë.
Ish-kryeministri Berisha u rikthye publikisht në skenë, pasi kryetari demokrat vendosi largimin e tij nga grupi parlamentar demokrat, një vendim i tillë u mor pas atij të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili përfshiu Berishën dhe familjarët e tij në kategorinë e zyrtarëve të korruptuar që kishin minuar demokracinë, duke i ndalur atij dhe familjes së tij hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nga ana tjetër, ambasadorja amerikane Yuri Kim, në një intervistë për televizionin Top Channel, la të kuptohej qartë të mërkurën se nuk mund të ketë një bashkëpunim me një PD të drejtuar nga zoti Berisha. Ndërsa pyetjes nëse SHBA-të mbështesin kryetarin Basha, Kim iu përgjigj se “njohim personin e zgjedhur rregullisht si Kryetar i asaj Partie dhe unë do të vazhdoj të shkoj ta takoj zotin Basha në cilësinë e tij si Kryetar i Partisë. Siç e patë, ligjvënësit dhe vizitorët e tjerë nga Uashingtoni do të bëjnë të njëjtën gjë”.
Ndaj këtij qëndrimi të ambasadores amerikane, ish-kryeministri Berisha reagoi duke i kërkuar ambasadores amerikane në veçanti, por edhe kujtdo tjetër sipas tij, nëse mund të kenë vetëm një provë apo fakt të vetëm, t’i dërgojnë pranë gjykatës në Paris.
“Zonjës dhe cilitdo tjetër, që kanë një provë, një fakt të vetëm, i ftoj t’i dërgojnë pranë gjykatës në Paris. Çështja e kafes, të vazhdojë të pijë kafe me livadhet e Qeverisë”, tha Berisha.
Top Channel