Pandemia e koronavirusit po e gjunjëzon edhe një herë Rusinë. Për të katërtën ditë me radhë, mbi 1200 viktima u shënuan në vend nga koronavirusi brenda 24 orëve të fundit.
Qendra anti-krizë konfirmoi se rastet e reja gjithashtu janë në nivele alarmante- më shumë se 40 mijë në ditë.
Spitalet janë mbushur me pacientë, ndërsa për të moshuarit është dhënë urdhër të mos dalin më nga shtëpia. Zyrtarët thonë se shkalla e lartë e infeksionit është pasojë e hezitimit të rusëve për t’u vaksinuar. Edhe pse Rusia ka disa vaksina të prodhuara vetë, vetëm rreth një e treta e popullsisë së saj është imunizuar.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Rusi është afro 9 milionë, ndërsa i viktimave është mbi 252,000. Kritikët dhe disa ekspertë shëndetësorë thonë se shifrat reale mund të jenë edhe më të larta.
Ndërkohë, Austria pritet të vendosë në izolim personat që nuk janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit, pasi edhe atje shkalla e infeksionit shënoi rritje rekorde.
Provinca e Austrisë së Epërme do t’i vendosë kufizimet nga e hëna nëse merr miratimin nga Qeveria federale. Salzburgu planifikon gjithashtu masa të reja.
Kancelari Alexander Schallenberg tha se izolim i kombëtar për të pavaksinuarit është “ndoshta i pashmangshëm”, duke i ndaluar atyre lëvizjen përveçse për të shkuar në punë apo për të blerë ushqime.
Top Channel