Këshilli i Atlantikut të Veriut dënoi sot fuqishëm Bjellorusinë për shkak të krizës artificiale me migrantët në kufi, si pjesë e veprimeve të synuara kundër Polonisë, Lituanisë dhe Letonisë për qëllime politike.
Aleatët e NATO-s në një komunikatë për media solidarizohen me Poloninë, Lituaninë, Letoninë dhe kombet e tjera aleate të prekura dhe mbështesin masat e marra, në përgjigje të një situate që kërkon koordinim të ngushtë me partnerët kyç ndërkombëtarë.
“Këto veprime të pashpirta rrezikojnë jetën e njerëzve në nevojë. Ne do të mbetemi vigjilentë ndaj rrezikut të përshkallëzimit dhe provokimit të mëtejshëm nga Bjellorusia në kufijtë e saj me Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë dhe do të vazhdojmë të monitorojmë implikimet për sigurinë e Aleancës. Aleatët e NATO-s i bëjnë thirrje Bjellorusisë që të ndërpresë këto veprime, të respektojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore dhe të respektojë ligjin ndërkombëtar”, thuhet në komunikatë.
Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko kërcënoi dje se do të ndalojë transitin e gazit në Evropë, përmes gazsjellësit transnacional Yamal-Europe, nëse Bashkimi Evropian zgjeron sanksionet ndaj Minskut.
BE-ja dhe NATO-ja akuzojnë Lukashenkon për përdorimin e migrantëve si armë për të ushtruar presion mbi Perëndimin duke dërguar njerëz që ikin nga Lindja e Mesme në Minsk dhe më pas në kufijtë e Polonisë dhe shteteve baltike.
Brukseli ka njoftuar sanksione ndaj Bjellorusisë për shkak të situatës në lidhje me migrantët në kufirin polako-bjellorus.
Top Channel