Shkarkohet nënkryetari i bashkisë/ Arbër Braho akuzoi Vangjush Dakon se vijon të drejtojë bashkinë Durrës

11/11/2021 00:42

Është shkarkuar nga detyra e nënkryetarit të bashkisë së Durrësit Arbër Braho, djali i ish-deputetit socialist Spartak Braho.

Përplasjet brenda bashkisë me kryetaren në detyrë Emiriana Sako, si dhe deklarimi se është ish-kryetari Vangjush Dako që de facto e drejton Bashkinë e Durrësit dhe abuzimet e shumta që bëhen në të me fondet publike, i ka kushtuar vendin e punës Brahos.

Burime nga bashkia e Durrësit konfirmuan se lirimi nga detyra i Arbër Brahos është bërë një ditë më parë, më 9 nëntor. Shkarkimi i Brahos ka ardhur vetëm një ditë pasi ka denoncuar me një status në rrjetin social ish-kryetarin V. Dako dhe tërthorazi pasuesen e tij në detyrë, e cila vetëm zyrtarisht figuron si e tillë, ndërkohë që abuzimet me fondet publike në këtë bashki vazhdojnë.

Braho edhe sot gjatë një interviste për Breaking ka folur në lidhje me abuzimet e shumta që po kryhen në bashkinë e Durrësit përmes tenderave, si dhe përplasjet me drejtuesen aktuale dhe Dakon, që sipas tij qëndron pas çdo akti abuziv.

Top Channel