“Kriminelët mblodhën firmat”/ Bardhi tregon se me kë komunikoi 10 min para mbajtjes së konferencës

11/11/2021 21:53

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi përsëriti sot në emisionin Open se bandat e Elbasanit janë angazhuar për mbledhjen e firmave për thirrjen e Kuvendit Kombëtar.

Ai tha se 10 minuta para se të mbante konferencën për mediat foli me dy zyrtarë të Elbasanit që i treguan për rastin. Sipas Bardhit, formularët mbahen në kasafortë dhe nuk bëhen publikë pasi janë mbledhur nga dora e kriminelëve shqiptarë.

Ai gjithashtu u ka bërë thirrje panelistëve që të shkonin dhe ta verifikonin këtë që tha.

“10 minuta para se të mbaja konferencën, kam pasur komunikim me dy zyrtarë të Elbasanit që më kanë treguar për bisedën e kësaj bande në rezidencën e tij. Ky është presioni, prandaj nuk i bëjnë publike të dhënat. E dimë të gjithë se si ka qenë fushata në Elbasan. I kishim përballë përditë. Ju ftoj të shkoni në Elbasan e të takoni njerëz të pavarur, sot zihej gjithë qyteti i Elbasanit me këtë që ka ndodhur me PD-në. Këtë e di gjithë qyteti, ju ftoj që të shkoni të flisni, jua jap unë burimet, por ndoshta nuk më beson dhe i them të shkojë si gazetar. Një bandit pret në rezidencën, mund të ketë persona që kanë firmosur nën trysninë e këtij banditi. Unë nuk mendoj se Berisha e di këtë, por ata e kanë futur aty, tha Bardhi.

Ky individi që e kemi pasur përballë në zgjedhjet e 25 prillit thërret drejtues të PD në Elbasan dhe i vendos përpara formularin për nënshkrim. E di dhe Flamur Noka se ka qenë para dy ditësh i thirrur nga ata që kanë besuar te demokratizimi i Partisë Demokratike, pikërisht për këtë çështje, se nuk të pranojnë demokratët e Elbasanit të ja mbledhin Kuvendin Kombëtar të PD, Suel Çela.  Ish deputeti i Partisë Demokratike, Keltis Kruja, ka qenë shef i shtabit të Orlando Rakipit. E ka pasur përballë Flamur Noka në Vorë, nuk e kam pasur unë. Nuk thërret, harrojeni se thërret banda dhe krimi i organizuar Kuvend Kombëtar të Partisë Demokratike, Harrojeni te keni Kuvend të thirrur nga Qifja”, tha Bardhi.

Procedura e verifikimit të firmave për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar ka përplasur palët të cilat kanë interpretime të ndryshme të statutit të partisë.

Bardhi theksoi se nuk është dorëzuar asnjë kërkesë, qoftë kjo edhe nga një anëtar i vetëm i Kuvendit Kombëtar për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

Kujtojmë se mbi tryezën e një konference shtypi të mbajtur të mërkurën në mbrëmje, ish-kryeministri Berisha kishte disa pirgje me shkresa të cilat siç deklaroi ishin formularët e firmosur nga 4200 delegatë të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Formularët u dërguan menjëherë pas konferencës, në selinë e Partisë Demokratike dhe u depozituan në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, i cili gjithashtu është shfaqur si përkrahës i lëvizjes së ndërmarrë nga Berisha.

Ish-kryeministri Berisha shpjegoi se ideja për të depozituar formularët e për t’i mbajtur ato të mbyllur deri ditën e Kuvendit, vjen nga fakti që përmbajnë të dhëna personale, duke filluar që nga numri i kartës së identitetit dhe deri te ai i kartës së anëtarësisë.

Por për Gazment Bardhin, Partia Demokratike është një institucion që funksionon mbi bazën e Statutit të Partisë Demokratike dhe po ashtu ka rregulla të qarta se si mblidhen institucionet e saj, ndërsa e konsideroi një fyerje të rëndë për çdo demokrat që të pretendohet të mbahen sekret anëtarët e Kuvendit Kombëtar nga organet statutore të Partisë Demokratike.

Berisha ka përsëritur disa herë se përmes mbledhjes së Kuvendit, do të bëhen ndryshime në statut, për t’i dhënë më shumë peshë anëtarit të partisë në vendimmarrjet e saj, si dhe për të hapur një garë për kryetarin e partisë, pjesë e së cilës do të jetë dhe ai vetë.

Ish-kryeministri Berisha u rikthye publikisht në skenë, pasi kryetari demokrat vendosi largimin e tij nga grupi parlamentar demokrat, një vendim i tillë u mor pas atij të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili përfshiu Berishën dhe familjarët e tij në kategorinë e zyrtarëve të korruptuar që kishin minuar demokracinë, duke i ndalur atij dhe familjes së tij hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nga ana tjetër, ambasadorja amerikane Yuri Kim, në një intervistë për televizionin Top Channel, la të kuptohej qartë të mërkurën se nuk mund të ketë një bashkëpunim me një PD të drejtuar nga zoti Berisha. Ndërsa pyetjes nëse SHBA-të mbështesin kryetarin Basha, Kim iu përgjigj se “njohim personin e zgjedhur rregullisht si Kryetar i asaj Partie dhe unë do të vazhdoj të shkoj ta takoj zotin Basha në cilësinë e tij si Kryetar i Partisë. Siç e patë, ligjvënësit dhe vizitorët e tjerë nga Uashingtoni do të bëjnë të njëjtën gjë”.

Ndaj këtij qëndrimi të ambasadores amerikane, ish-kryeministri Berisha reagoi duke i kërkuar ambasadores amerikane në veçanti, por edhe kujtdo tjetër sipas tij, nëse mund të kenë vetëm një provë apo fakt të vetëm, t’i dërgojnë pranë gjykatës në Paris.

Top Channel