Analisti Andi Bushati i ftuar në “Open” është shprehur i qartë se nuk ka një bashkëpunim mes Sali Berishës dhe Edi Ramës.

Sipas tij, Berisha ka qenë personi më kundër bandave që mbështeten nga Rama dhe kurrë nuk mund të bashkëpunonte me to.

 “Kurrë, nuk ka, Berishës mund t’i veshësh një mijë mëkate, por njeriu që në këto 8 vite ka denoncuar bandat, nuk ndodh, duhet ta fusim në një kuadrat logjik. E zëmë se është një grup që mbledh firmat, Berisha s’ka reaguar se u bë publike. Ai e di se janë bërë në këtë mënyrë dhe i mbyll në kasafortë. Që Sali Berisha i mbledh me bandat e Edi Ramës, sikur të vdes se besoj dot”, tha Bushati.

Ky debat u hap pas deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi  ku tha bandat e Elbasanit janë angazhuar për mbledhjen e firmave për thirrjen e Kuvendit Kombëtar.

Procedura e verifikimit të firmave për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar ka përplasur palët të cilat kanë interpretime të ndryshme të statutit të partisë.

Bardhi theksoi se nuk është dorëzuar asnjë kërkesë, qoftë kjo edhe nga një anëtar i vetëm i Kuvendit Kombëtar për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

Kujtojmë se mbi tryezën e një konference shtypi të mbajtur të mërkurën në mbrëmje, ish-kryeministri Berisha kishte disa pirgje me shkresa të cilat siç deklaroi ishin formularët e firmosur nga 4200 delegatë të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Formularët u dërguan menjëherë pas konferencës, në selinë e Partisë Demokratike dhe u depozituan në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, i cili gjithashtu është shfaqur si përkrahës i lëvizjes së ndërmarrë nga Berisha.

Ish-kryeministri Berisha shpjegoi se ideja për të depozituar formularët e për t’i mbajtur ato të mbyllur deri ditën e Kuvendit, vjen nga fakti që përmbajnë të dhëna personale, duke filluar që nga numri i kartës së identitetit dhe deri te ai i kartës së anëtarësisë.

Por për Gazment Bardhin, Partia Demokratike është një institucion që funksionon mbi bazën e Statutit të Partisë Demokratike dhe po ashtu ka rregulla të qarta se si mblidhen institucionet e saj, ndërsa e konsideroi një fyerje të rëndë për çdo demokrat që të pretendohet të mbahen sekret anëtarët e Kuvendit Kombëtar nga organet statutore të Partisë Demokratike.

Berisha ka përsëritur disa herë se përmes mbledhjes së Kuvendit, do të bëhen ndryshime në statut, për t’i dhënë më shumë peshë anëtarit të partisë në vendimmarrjet e saj, si dhe për të hapur një garë për kryetarin e partisë, pjesë e së cilës do të jetë dhe ai vetë.

Ish-kryeministri Berisha u rikthye publikisht në skenë, pasi kryetari demokrat vendosi largimin e tij nga grupi parlamentar demokrat, një vendim i tillë u mor pas atij të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili përfshiu Berishën dhe familjarët e tij në kategorinë e zyrtarëve të korruptuar që kishin minuar demokracinë, duke i ndalur atij dhe familjes së tij hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Top Channel