“Berisha s’ka firma për kuvendin”/ Të besuarit e Berishës mbyllën në zyrën e Palokës formularët për Kuvendin

11/11/2021 00:37

Sali Berisha depozitoi në selinë blu përmes të besuarve të tij, 4 mijë e 200 firma për thirrjen e Kuvendit Kombëtar me 11 dhjetor. Formularët me nënshkrimet iu dorëzuan personalisht kryetarit të Këshillit Kombëtar Edi Paloka.

“Ruajmë të dhënat personale të delegatëve, mandatet do verifikohen nga një komision që do ngrihet ditën e Kuvendit”- tha Paloka. Zyrtarisht përmes sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi, Partia Demokratike e cilësoi aktin një bllof politik të Sali Berishës.

“Nuk ka mbledhur 1/4 e firmave dhe do të fusë në kasafortë demokratët për interesat personale të tij”- tha Bardhi. Sipas numrit dy të Partisë Demokratike procedura për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të PD është nul pasi ka anashkaluar forumet e partisë.

“Nuk mund t’i mbledhësh vetë, t’i verifikosh vetë. Po të kujtoni procedurën e Kuvendit të shkuar, delegatet u pajisën me një autorizim ose nga kryetari i partisë ose nga sekretari përgjithshëm, në mënyrë që të bëhet verifikimi i delegatëve. Por nuk futen dot anëtarët e Partisë Demokratike në kasaforte, nuk mbyllen demokratët në kasafortë”- vijoi Bardhi.

Deri më 11 dhjetor, 4 mjë e 200 firmat e mbledhura do ruhen në një kasafortë në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka.

Top Channel