Kreu i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, ku po zhvillohet seanca dëgjimore në lidhje me shqyrtimin e projktligjit “Për Buxhetin e vitit 2022” me shoqatat e bashkive.

Në fjalën e tij, Ndreu ka thënë se në buxhet nuk është reflektuar fjala e thënë nga kryeministri Edi Rama se bashkitë që kanë performancë më të mirë do ketë grante.

Po ashtu Kreu i Bashkisë së Lezhës doli kundër vendimit të qeverisë që si fillim paratë do t’i shkojnë Ministrisë së Mjedisit dhe më pas do jetë kjo e fundit që do bëjë shpërndarjen e tyre.

“U tha që do ketë grante për bashkitë e bregdetit, do ketë stimul, për bashkitë që kanë performancë të mirë dhe janë dy elementë që nuk na reflektojnë askund në buxhet. Dhe do ndodhë ai fenomeni te ai filmi që thoshte që këto ndërmarrjet e mia kanë shteruar kapacitetet dhe nuk kanë nevojë për lekë më, sepse të gjithë e dinë që ky nuk është argument. Bashkitë që kanë performancë të mirë duhet të trajtohen dhe të mësohen edhe të tjerat që nëse t’i punon mirë mund të marrësh edhe 5 lekë më shumë që të avancosh. Ka plot probleme. Granti që parashikohet për të shkuar të bashkitë bregdetare për arsye të ngarkesës së sezonit nuk reflektohet.

Në një bisedë që bëra me ministrin, buxheti i ka shkuar ministrisë së Mjedisit e cila më pas do ta ndajë sipas një formule që në fakt ministrja vetë nuk ishte dakord. Më mirë se e ka të vlerësuar gjendjen bashkia nuk e ka askush dhe kjo duhet t’i shkojë bashkive direkt. Nuk e di ç’hyn ministria këtu. Ministria mund të bëjë rolin e mbikëqyrësit nëse fondet shkojnë në drejtim të gabuar, por nuk mund të kryejë rolin e transmetuesit më jep mua lekë se unë do t’ja çoj atij. Kjo nuk më rezulton efektive”, u shpreh Ndreu.

Top Channel