Ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë për shtyp sot tha se 4200 formularët që mban mbi tavolinë do depozitohen në Këshillin Kombëtar të PD-së sonte dhe më pas në Kuvend gjatë seancës së radhës.

Sipas tij, janë ende persona që po firmosin jashtë, duke theksuar se do të ruhet privatësia e të dhënave personale.

Sa i përket kreut të PD-së, Lulzim Basha, ai tha se ka frikë nga forumet, anëtarësia apo Këshilli Kombëtar.

“Nga një udhëheqje e papërgjegjshme gjatë këtyre 8 viteve. Në foltore nuk kanë qenë vetëm themeluesit. Kemi sjellë 4200 formularë, 4200, 1800 që është detyrimi statusor për të thirrur këtë kuvend. Po pse shkuam kaq shumë? Për të respektuar vullnetin e shumicës. Këtu kemi një shumicë jo vetëm të PD por edhe të Shqipërisë. Këto 4200 formularë do t’i depozitoj në selinë e PD tek kryetari i Këshillit Kombëtar të PD Edi Paloka. Do thoni ju po pse kjo përzgjedhje. Në formularët e PD për dramën e kësaj partie , i vetmi forum pas Kuvendit është Këshilli Kombëtar. Kryetari nuk ka mbledhur akoma kryesinë e PD se ka frikë, ka tmerr nga forumet nga anëtarësia, kurse Këshilli Kombëtar është këshilli më i lartë. Me garancinë e plotë se do të ruhet privatësia e të dhënave personale pasi formularët kanë jo vetëm gjeneralitetet, por kanë edhe numrin e kartës së anëtarësisë dhe ID. Ditën e kuvendit do të jenë në sallën e kuvendit, mund të pyesni me të drejtë kanë firmosur 4200, qindra të tjerë janë duke firmosur, rreth 1200 janë në emigracion”, tha Berisha.

Marrëdhëniet e afërta mes ish kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike pësuan një thyerje të thellë kur sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, e shpalli ish-kryeministrin Berisha dhe familjen e tij si të papërshtatshëm për të shkuar në SHBA, ndërsa kreu i PD-së Basha e përjashtoi atë nga grupi parlamentar i opozitës.

Sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, përcaktoi Berishën, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, si individë që nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së ish-kryeministrit Berisha në korrupsion domethënës.

Pas kësaj, Basha e përjashtoi Berishën nga grupi i deputetëve dhe ka theksuar disa herë publikisht se, si kryetar i PD-së, ai nuk do të lejonte që partia të shndërrohej në bunker për interesat personale të ish-kryeministrit Berisha dhe se nuk do të lejonte që Partia Demokratike të mbante Kuvend për vendimet e SHBA-ve.

Gjatë një fjalimi në parlament Basha akuzoi për një bashkëpunim mes presidentit Meta, kryeministrit Rama dhe ish kryeministrit Berisha, duke i etiketuar si “trekendëshi i Bermudës, brinjët e të cilës do të zbërthehen një nga një”.

Por disa ditë më parë, Berisha dëshmoi përsëri këmbënguljen e tij, kur deklaroi në një tjetër tubim se ai do të kandidonte për postin e kryetarit të Partisë Demokratike në Kuvendin, për thirrjen e të cilit, sipas tij, tashmë ishin mbledhur firmat e delegatëve.

Sipas interpretimeve mbi statutin nga ana e PD-së zyrtare është kryetari ai që vendos, nëse thirret apo jo, një Kuvend i partisë.

Ai ka propozuar në Kuvend një proces vettingu për pastërtinë e pasurive dhe integritetin e politikanëve, në mënyrë të ngjashme me atë që po bëhet për gjyqtarët, madje shprehu gatishmërinë që ky vetting të nisë së pari nga kryetari i opozitës para se të përfshijë qeverinë dhe gjithë politikanët e tjerë.

Ish-kryeministri Berisha dha dorëheqjen nga drejtimi i së djathtës në vitin 2013, kur humbi thellë zgjedhjet përballë Partisë Socialiste, të drejtuar nga Edi Rama.

Polemikat mes politikanëve kryesorë të Partisë Demokratike kanë shkaktuar një debat të gjerë mes deputetëve dhe bazës së kësaj partie, lidhur me autoritetin kryesor drejtues të partisë.

Top Channel