Njëri prej gazetarëve në sallën e konferencës së ish-kryeministrit Sali Berisha e pyeti nëse firmat janë të besueshme.
Berisha e ftoi gazetarin dhe të gjithë të pranishmit që t’i verifikonin, duke theksuar se ka komision që i verifikon.
Berisha ka theksuar se nisma që ka ndërmarrë bashkë me demokratët është 100% statusor.
“Nuk verifikohen vetë, e ka përcaktuara statuti, është nen në statut. Merr rastin e kryetarit, ai vendosi pa pyetur asnjë forum duke shkelur statutin, mori një vendim që s’mund ta merrte kurrë, nuk ia ka kush fajin se është peng, se kryetari nuk do të pranonte kurrë të thërriste kuvendin. Nisma është 100% statutore, procesi është statutor, verifikimi nuk është vetëverifikim, edhe ju po të doni jeni të ftuar ta vëzhgoni tek tryeza. Kjo erë e re kjo lëvizje është rikthim i transparencës dhe lirisë në PD, kryetarët e të cilit do të kenë të drejtë t=në mbikëqyrjen e mandateve, do të jenë komisione. Do jetë një proces transparent, i rregullt, atë që s’ka bërë kurrë PD në këto 8 vite. Nuk bëhet kuvendi me 8 mijë delegatë, kur salla më e madhe e vendit është me 3 mijë vende. Por ne përshtatemi në këto kushte. Ky është mekanizmi shto ujë shto miell, për të shuar partinë”, tha Berisha.
Marrëdhëniet e afërta mes ish kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike pësuan një thyerje të thellë kur sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, e shpalli ish-kryeministrin Berisha dhe familjen e tij si të papërshtatshëm për të shkuar në SHBA, ndërsa kreu i PD-së Basha e përjashtoi atë nga grupi parlamentar i opozitës.
Sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, përcaktoi Berishën, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, si individë që nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së ish-kryeministrit Berisha në korrupsion domethënës.
Pas kësaj, Basha e përjashtoi Berishën nga grupi i deputetëve dhe ka theksuar disa herë publikisht se, si kryetar i PD-së, ai nuk do të lejonte që partia të shndërrohej në bunker për interesat personale të ish-kryeministrit Berisha dhe se nuk do të lejonte që Partia Demokratike të mbante Kuvend për vendimet e SHBA-ve.
Gjatë një fjalimi në parlament Basha akuzoi për një bashkëpunim mes presidentit Meta, kryeministrit Rama dhe ish kryeministrit Berisha, duke i etiketuar si “trekendëshi i Bermudës, brinjët e të cilës do të zbërthehen një nga një”.
Por disa ditë më parë, Berisha dëshmoi përsëri këmbënguljen e tij, kur deklaroi në një tjetër tubim se ai do të kandidonte për postin e kryetarit të Partisë Demokratike në Kuvendin, për thirrjen e të cilit, sipas tij, tashmë ishin mbledhur firmat e delegatëve.
Sipas interpretimeve mbi statutin nga ana e PD-së zyrtare është kryetari ai që vendos, nëse thirret apo jo, një Kuvend i partisë.
Ai ka propozuar në Kuvend një proces vettingu për pastërtinë e pasurive dhe integritetin e politikanëve, në mënyrë të ngjashme me atë që po bëhet për gjyqtarët, madje shprehu gatishmërinë që ky vetting të nisë së pari nga kryetari i opozitës para se të përfshijë qeverinë dhe gjithë politikanët e tjerë.
Ish-kryeministri Berisha dha dorëheqjen nga drejtimi i së djathtës në vitin 2013, kur humbi thellë zgjedhjet përballë Partisë Socialiste, të drejtuar nga Edi Rama.
Polemikat mes politikanëve kryesorë të Partisë Demokratike kanë shkaktuar një debat të gjerë mes deputetëve dhe bazës së kësaj partie, lidhur me autoritetin kryesor drejtues të partisë.
Top Channel