Santos: Shqipëria është gati për hapin tjetër në procesin e integrimit evropian

09/11/2021 20:15

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian (PE), Isabel Santos, pas takimeve me zyrtarët e lartë të vendit, mbajti një konferencë për mediat në Tiranë, duke u fokusuar në çështjet e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, mbështetjes së Bashkimit Evropian (BE) dhe procesit të reformave në sektorë të ndryshëm në Shqipëri.

Santos theksoi se bashkëpunimi për shpërndarjen e vaksinave për të luftuar pandeminë COVID-19 apo ndihmat në shumë fusha të tjera përmirësojnë kushtet e jetës së qytetarëve shqiptarë.

Duke folur për mbështetjen e BE-së dhe bashkëpunimin me Shqipërinë, ajo tha se “Integrimi i qytetarëve të Shqipërisë në BE po ndodh në fakt dita ditës në sajë të punës që po bëhet. Këto janë shenja të qarta dhe të pamohueshme të solidaritetit të Bashkimit Evropian dhe të shteteve anëtare për Shqipërinë, si dhe shenja të qarta që në Bashkimin Evropian ne dëshirojmë që të shikojmë Shqipërinë që të ecë gjithnjë e më shumë përpara në rrugëtimin e saj drejt BE-së”.

“Ne në Parlamentin Evropian kemi qenë shumë të qartë, kemi thënë që Shqipëria është gati për hapin tjetër në procesin e integrimit, por ashtu edhe në Komisionin Evropian siç është e qartë në fakt nga raporti i fundit që është nxjerrë nga Komisioni Evropian, ku thuhet që Shqipëria i ka përmbushur të gjitha hapat e duhura për konferencën e parë ndërqeveritare. Është koha që tashmë Shqipëria të vazhdojë me punën për reformat”, theksoi Santos.

E pyetur se kur do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për procesin e integrimit evropian, ajo tha se, “Ne jemi këtu, Evropa është këtu, ne i qëndrojmë në krah Shqipërisë. Pavarësisht se kur do të bëhet konferenca e parë ndërqeveritare nuk do të bëjë kjo gjë ndonjë ndryshim thelbësor. Në lidhje me konferencën e parë ndërqeveritare dhe organizimin e saj, ne tashmë kemi një problem dhe ky problem ekziston ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Shpresojmë që ky problem të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur dhe që ne të kemi mundësinë te ecim përpara”.

Eurodeputetja Santos theksoi se Shqipëria tashmë i ka përmbushur të gjitha kushtet të cilat çojnë tek konferenca e parë ndërqeveritare.

Për iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, Santos tha se “është një iniciativë e një grupi shtetesh dhe nuk ka lidhje me procesin e integrimit në BE”.

“Nuk është një çështje për mua. Unë nuk merrem me këtë çështje, është një iniciativë politike e këtyre vendeve. Është një iniciativë për bashkëpunim më të mirë ndërmjet vendeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha ajo në lidhje me iniciativën “Ballkani i Hapur”.

Deputetja e PE-së, Isabel Santos, realizoi një vizitë disa ditore në Shqipëri, ndërkohë ajo është takuar me zyrtarë të lartë të vendit, si presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama, kryeparlamentaren Lindita Nikolla dhe përfaqësues të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Top Channel