Teksa Julian Nagelsmann po merr veten pasi ka kaluar coronavirusin, dhe Robert Lewandowski ende shpreson Topin e Artë, një imazh interesant u shfaq të shtunën në Allianz Arena gjatë ndeshjes së Bajernit të Mynihut në Bundesliga.
Tifozët shpalosën një banderolë kundër Oliver Kahn dhe drejtuesve për një motiv të veçantë. Neuer me shokë mposhtën 2-1 Freiburgun, duke mbetur në krye me 4 pikë diferencë ndaj Dortmundit, por imazhi më interesant i ditës erdhi nga tribuna.
Kjo pasi vera e kaluar solli ide të reja revolucionarizuese për të ardhmen në një klub ku Oliver Kahn mori rolin e Administratorit të Deleguar me objektivin për të ndryshuar fytyrën e Bajernit. Por, çështja është se në këto muaj të parë ish portieri ka patur probleme me dhomat e zhveshjes pas lamtumirës së Hansi Flick, ndërkohë që kësaj i shtohet edhe episodi i të shtunës së kaluar.
“Për para bëjmë lavatriçen e gjithçkaje”, ishte ky slogani i përdorur nga tifozët bavarezë për të protestuar kundër Kahn dhe Presidentit Herbert Heiner. Arsyeja që i ka lënë të pakënaqur është akordi që Këshilli i ri i administrimit të Bayern ka firmosur me disa kompani nga Katari, pasi tifozët kujtojnë këtu shkeljen e të drejtave të njeriut nga vendi që do të mikpresë Kupën e Botës. Në Gjermani madje mediat bëjnë të ditur se akordet mund të rishikohen nëse tifozët do të vazhdojnë të protestojnë në javët e ardhshme.
Tifozët kanë drejtuar gishtin e akuzës kundër Oliver Kahn, që e konsiderojnë si sponsorin e parë të akordeve që stonojnë me ideologjinë dhe vlerat e futbollit gjerman. Kasta e re drejtuese në Bavari duket se ka ndryshuar linjën e saj të politikës në lidhje me paratë që vijnë nga jashtë dhe tifozët duket se nuk janë aspak të kënaqur me të./ SS
Top Channel