“Do gozhdojmë parcelat me kanabis dhe punëtorët në to”/ Rama flet për dronët inteligjentë: Policia do ndjekë grupet kriminale

09/11/2021 12:24

Kryeministri Edi Rama, në buxhetin e vitit 2022 për Ministrinë e Brendshme, premtoi investim që do të gozhdojë jo vetëm parcelat me kanabis, por edhe personat që punojnë për to.

Rama tha se për të arritur këtë do të investohet në blerjen e dronëve inteligjentë, ndërsa kërkoi edhe më shumë investim në ngritjen e cilësisë në Akademinë e Sigurisë.

“-Investim për të gozhduar jo vetëm parcelat me kanabis, edhe ata që punojnë, edhe ata që janë të lidhur me ata që punojnë nga ajri me dronë inteligjentë. Do jenë në dispozicion të shumë institucioneve dhe do i japi mundësi Policisë që të organizojë ndjekje personash, grupe kriminale, edhe shpëtim personash me emergjencat e kështu me radhë, kur personat ngelin në dëborë, zgrip dhe nuk kanë as qasje ne rrjet për t’u identifikuar.

– Ngritja e cilësisë në Akademinë e Sigurisë, sepse duke u kthyer në 2013 ka një të dhënë të rëndësishme. Në këtë vit kishim dy të dhëna kuptimplota lidhur me gjendjen e Policisë.

1-Policia kishte 70% të mjeteve të saj motorrike jashtë përdorimit.

2-Kishte moshën më të lartë me diferencë në raport me rajonin dhe nivelin më të ulët të edukimit, shkollimit, të trupës në rajon dhe më gjerë.

Sot e para është zgjidhur, jo se Policia s’ka nevojë për mjete të tjera por se ka të gjithë flotën në funksion dhe vit pas viti mund të shtojë mjete të tjera.

E dyta është në proces, është ulur mosha, por duhet ulur ende më shumë. Duhet që Akademinë e Sigurisë ta bëjmë edhe më atraktive jo vetëm për at që vijnë edukohen, por për krimin financiar, krimin kibernetik, fusha ku jemi shumë mbrapa”, tha kryeministri Edi Rama.

Top Channel