Digjitalizimi i shkollave dhe ndërkombëtarizimi i universiteteve janë dy prioritetet kryesore të Ministrisë së Arsimit të reflektuara edhe në projektbuxhetin për vitin 2022, që ka pësuar një rritje me 6.2% krahasuar me një vit më parë duke arritur shifrën e mbi 46 miliardë lekë.
“Buxheti për kërkimet shkencore rritet me 9%. Ndërsa parashikohet që të rritet me 50% financimi për transportin e 30 mijë nxënësve dhe 1`2 mijë mësuesve që kanë vendbanimin 2 km larg nga shkolla. Në skemën e librave të përdorur falas planifikojmë që klasa e parë deri në klasën e tretë ti marrin libra njëpërdorimshme sepse janë më të vegjël”, tha ministrja.
Ndërkaq ministrja Evis Kushi deklaroi se në mesin e vitit 2022 pagat e arsimtarëve do të rriten me 6%, ku këtë herë do të përfitojnë edhe punonjësit psikosocial si një vëmendje të shtuar që duhet të kenë ndaj abuzimeve që po ndodhin në institucionet arsimore.
“Kam zhvilluar takim për më shumë vëmendje me psikologët ndaj këtyre rasteve të vështira”, tha Kushi.
E thirrur në komisionin e ekonomisë, ministrja e arsimit Evis Kushi u përball me shqetësimet e deputetëve për rënien e numrit të studentëve teksa universitetet rajonale rrezikojnë mbylljen.
“Është e vërtetë që universitetet në rrethe po tkurren po duhet që vetë ato sipas autonomisë të krijojnë politika për të rritur interesin e maturantëve. Gjithsesi edhe ne kemi përgjegjësinë tonë”, tha Kushi.
Ndërsa hartuesja e projektbuxhetit,Pranvera Resulja ka vetëm një kërkesë.
“Ju lutem përdorini me dashuri këto fonde. Përqendrohuni te cilësia, vendosni dorën në zemër në përdorimin e tyre!”, tha ajo.
Top Channel