Ankaraja sfidon Rusinë: Teston me sukses sistemin SIPER, rivalin e S-400 rus

08/11/2021 15:01

Turqia testoi me sukses sistemin e saj të raketave të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë veprimi, Siper, i cili pritet të hyjë në inventarin e ushtrisë turke në 2023-shin.

Lajmin e konfirmoi kreu i Presidencës së Industrisë vendase të Mbrojtjes, Ismail Demir, në llogarinë e tij në Twitter.

Ai tha se Turqia do të vazhdojë të prodhojë armë të reja dhe do të ketë deri në gjashtë sisteme të ndryshme të mbrojtjes ajrore.

Projekti Siper drejtohet nga gjigantët e mbrojtjes të Turqisë Aselsan, Roketsan dhe Instituti i Kërkimit dhe Zhvillimit të Industrive të Mbrojtjes të Këshillit të Kërkimeve Shkencore dhe Teknologjike të Turqisë (TÜBITAK).

I zhvilluar për të mbrojtur objektet strategjike kundër sulmeve të armikut, SIPER do të lejojë mbrojtjen ajrore në rreze të gjatë dhe goditjeve me rreze të shpërndarë.

Praktikisht, ky sistem pritet të rivalizojë atë rus S-400, të cilin vetë Turqia e bleu nga Moska, lëvizje kjo që u pasua nga mosmarrëveshje të mëdha me Shtetet e Bashkuara që e konsiderojnë sistemin rus si kërcënim për avionët e tyre F35.

Sistemi turk i mbrojtjes ajrore ka aftësinë të qëllojë një objektiv gjatë lëvizjes, si dhe të identifikojë e gjurmojë një të tillë ditën dhe natën.

Top Channel