“50% e shqiptarëve jetojnë me rrezikun e varfërisë”/Basha: Babëzia për pushtet ka bërë që të eksportojmë shqiptarë, e të importojmë hallexhinj

08/11/2021 18:35

Kreu i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se 50% e shqiptarëve jetojnë me rrezikun e varfërisë dhe probleme të shumta ekonomike në vendin tonë, ndryshe nga ajo që thotë qeveria me në krye Edi Ramën, sipas tij.

Shumë faktorë ekonomikë me autor Ramën kanë sjellë largim të shqiptarëve dhe “importimin e hallexhinjve nga të gjitha cepat e botës”, sipas Bashës.

“Dhe kjo çmenduri me paratë e qytetarëve të vendit më të varfër të Europës, 50% e të cilëve jetojnë me rrezikun e varfërisë dhe përjashtimit social, sipas Eurostatit me një shifër që është më e larta në rajon dhe 2 herë me e lartë se mesatarja e BE-së;
Kjo çmenduri dhe babëzi për pushtet dhe pasuri, ka bërë që të eksportojmë shqiptarë, të cilëve u është mohuar një e ardhme më e mirë në vendin e tyre, e të importojmë hallexhinj, nga cepat më të largët të botës, për të zëvendësuar bijët dhe bijat e shqiptarëve, me skllevër modernë, pa të drejta politike. Ndaj edhe sot, kur PPP-të zënë gjysmën e prodhimit të brendshëm bruto, sipas FMN-së, me borxhin publik më të lartë të historisë, përgjigjja e këtij që ulet prapa, për çmimet e rritura, për konsumin dhe të ardhurat për frymë më të ulëta në Europë, është si ajo për largimin e shqiptarëve: një ngritje supesh“, tha Basha.

“Pak problem është për ta se Shqipëria po përballet dhe do të përballet me efektet shkatërrimtare që sjell largimi i mjekëve, inxhinierëve, ekspertëve, pra e pjesës më të gjallë dhe të kualifikuar të shoqërisë.
Pak problem është për ta se largimi i të rinjve do të godasë pamëshirshëm ekonominë e vendit, me rënien e pashmangshme të fuqisë punëtore.
Pak problem është për ta që sistemi arsimor po përballet me rënien e vazhdueshme të numrit të nxënësve dhe studentëve.
Pak problem është për ta që kjo zbrazje e klasave, në të gjitha nivelet, do të thotë rënie e numrit të mësuesve dhe pedagogëve.
Pak problem është për ta se rënia e popullsisë, që do të thotë edhe rënie të lindjeve, do të godasë sistemin shëndetësor dhe atë të pensioneve.
Sepse hallet e tyre nuk janë hallet e qytetarëve, por koncesionet dhe PPP-të. U mjafton që zinxhiri i interesave që lidh politikanët e korruptuar dhe oligarkët të vazhdojë të qarkullojë miliarda euro, e t’i pastrojë ato në parajsat fiskale, pa shqetësimin më të vogël se kjo rrotë e dhjamosur nga babëzia e pafre po rrokullis drejt humnerës ekonomike shumicën dërrmuese të shoqërisë shqiptare”, tha Basha.

Sot po diskutohet Akti Normativ nr. 31, datë 27.10.2021 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 137/2020 “Për buxhetin e vitit 2021” të ndryshuar””.

Top Channel