Inflacioni në Gjermani po rritet me shpejtësinë më të madhe në tre dekada. Nga energjia, te ushqimet, te çmimet e shtëpive të gjitha po përjetojnë një ritëm rritjeje pa mëshirë në Gjermani dhe Europë.
Të dhënat e fundit tregojnë inflacioni po kalon nivelin 5% në ndryshimin vjetor, një normë që nuk shihej për 30 vite.
Bild, gazeta më e madhe gjermane, fajëson Bankën Qendrore Evropiane se ka dështuar të amortizojë nivelin e çmimeve dhe madje është bërë pjesë e problemit me politikën e lëshuar monetare që ka ndjekur.
BQE ka argumentuar se normat e ulëta të interesit dhe paketa e emergjencës prej 1.85 trilion eurosh ishin të nevojshme për të rimëkëmbur një ekonomi të shkatërruar nga pandemia.
Në Gjermani, gjithsesi, kursimtarët besojnë se politika e BQE për t’i lënë normat e interesit në 0% po gërryen të gjithë vlerën e aseteve të tyre.
Bild e ka shigjetuar shefen e BQE, Chrsitine Lagarde, si “Zonja Inflacion”, duke shprehur ndër rreshta se ajo vishet me rroba Channel, por tallet me fatin e pensionistëve, punonjësve dhe kursimtarëve, edhe pse kjo e fundit ka shprehur shqetësimin e saj për rritjen e çmimeve të produkteve të shportës.
Pas krizave shkatërrimtare nga inflacioni në 1920-ën dhe 1970-ën, gjermanët kanë një frikë të trashëguar prej tij, shprehet ekonomisti Carsten Brzeski.
Shprehjet e Lagarde se inflacioni do të jetë kalimtar janë pritur me mosbesim në vendet më të populluara të Europës.
Bankierët gjerman gjithashtu e shohin me skepticizëm këtë fakt. Ata bëjnë thirrje që politikat monetare duhet të shtrëngohen sa më shpejt të jetë e mundur.
Top Channel