Presidenti Joe Biden po vazhdon me një plan masiv për ta bërë të detyrueshëm vaksinimin kundër koronavirusit për miliona punonjës të sektorit privat deri në fillim të vitit të ardhshëm. Por së pari, ai duhet të sigurohet që punonjësit e qeverisë federale të jenë të vaksinuar.
Rreth 4 milionë punonjës federalë do të duhet të vaksinohen deri më 22 nëntor bazuar në urdhrin ekzekutiv të presidentit. Punonjësit në disa agjenci federale si ata në Shtëpinë e Bardhë, janë pothuajse të gjithë të vaksinuar. Por normat e vaksinimit janë më të ulëta në agjencitë e tjera federale, veçanërisht ato që lidhen me zbatimin e ligjit dhe inteligjencën, thonë zyrtarë të këtyre agjencive dhe ata të sindikatave. Dhe disa punonjës u kanë bërë rezistencë thirrjeve për t’u vaksinuar, duke ngritur padi dhe duke protestuar kundër, siç thonë ata, presionit të padrejtë nga Shtëpia e Bardhë.
Afati i ardhshëm është prova e parë për përpjekjen e Presidentit Biden për të detyruar njerëzit të vaksinohen. Përveç rregullit të vaksinimit për punonjësit federal, një mandat tjetër do të hyjë në fuqi në janar për rreth 84 milionë punëtorë të sektorit privat, bazuar në udhëzimet e nxjerra javën e kaluar.
Nëse urdhrat e vaksinimit të detyrueshëm janë të suksesshëm, ato mund të ndihmojnë në uljen më të madhe të rasteve të reja të koronavirusit që që nga koha kur vaksina u bë e disponueshme për herë të parë, veçanërisht pas miratimit të vaksinës për fëmijët e moshës 5-11 vjeç, duke e bërë të mundur vaksinimin kundër Covid-19 edhe për 64 milionë njerëz të tjerë. Por me dy javë të mbetura deri në afatin e fundit të vaksinimit për punonjësit federalë, disa drejtues të sindikatave që përfaqësojnë këta punonjës thonë se po bëhet gjithnjë e më sfiduese përpjekja për t’ia ndryshuar mendjen punonjësve të pavaksinuar.
“Unë e mora vaksinën në shkurt, ishte zgjedhja ime dhe mendova se do të ndalonte virusin”, tha Corey Trammel, një oficer i Byrosë së Burgjeve dhe president i sindikatës lokale në Luiziana. “Por ajo nuk e bëri këtë. Dhe tani kam njerëz që japin dorëheqjen sepse janë të lodhur nga tejkalimi kompetencave të qeverisë në lidhje me këtë, ata nuk duan ta bëjnë vaksinën. Njerëzit thjesht nuk i besojnë qeverisë dhe thjesht nuk i besojnë kësaj vaksine.”
Vaksinat kanë një histori të provuar sigurie, të mbështetur nga provat klinike dhe studimet e organizatave të pavarura që tregojnë se ato janë jashtëzakonisht efektive në parandalimin e sëmurjes së rëndë dhe vdekjes nga COVID-19. Më shumë se 222 milionë amerikanë kanë marrë të paktën një dozë vaksine dhe më shumë se 193 milionë janë vaksinuar plotësisht. Më shumë se gjysma e popullsisë së botës ka marrë gjithashtu të paktën një dozë të vaksinës kundër koronavirusit.
Agjencitë federale po paralajmërojnë punonjësit për mandatin e ardhshëm, duke ofruar leje nga puna për të bërë vaksinën dhe duke inkurajuar punonjësit që të vaksinohen. Por ata nuk do të shkarkohen nëse nuk arrijnë afatin e 22 nëntorit. Ata do të merrnin “këshillim” dhe do t’u jepeshin pesë ditë të tjera për të filluar procesin e vaksinimit. Më pas ata mund të pezullohen për 14 ditë dhe përfundimisht mund të shkarkohen nga puna, por ky proces do të zgjaste me muaj.
Republikanët kanë argumentuar se mandati shkon shumë larg. Republikanët e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikqyrjen e punës së Qeverisë, dërguan një letër në fund të tetorit duke sugjeruar se “mandatet autoritare dhe ekstreme të presidentit cenojnë lirinë e amerikanëve, janë të paprecedentë dhe në fund mund të shpallen të paligjshme”.
Në letrën e tyre, ligjvënësit James Comer nga Kentaki dhe Jody Hice nga Xhorxhia thanë se ata shqetësoheshin për një numër të madh të vendeve të paplotësuara të punës në qeveri nëse mijëra punëtorë refuzojnë të vaksinohen dhe pushohen nga puna. Ky shqetësim u shpreh edhe nga zyrtarët e Byrosë së Burgjeve, tashmë me personel të kufizuar.
Nuk është e qartë deri më tani se sa punonjës federalë nuk do të vaksinohen edhe nëse përballen me mundësinë e pushimit nga puna./ VOA
Top Channel