Berisha takim me të rinjtë e FRPD-së në Tiranë: Si 30 vite më parë me prindërit tuaj, ne sot do përmbysim narkoshtetin

07/11/2021 12:27

Foltorja e ish-kryeministrit Sali Berisha është ndalur sot në Tiranë, ku të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, me në krye drejtuesit e saj, por edhe deputeti Belind Këlliçi, janë prezentë.

Në nisje të fjalës së tij, Berisha ka shprehur bindjen se sikurse 30 vite më parë prindërit e këtyre të rinjve rrëzuan komunizimin, edhe ata sot do të rrëzojnë atë që ish-kryeministri e quan ‘narkoshtet’.

“Belind dhe Rigers, dua t’ju falënderoj ju drejtuesit tuaj për punën e jashtëzakonshme që ju keni bërë për mundin dhe djersën, guximin, që keni treguar për të bërë PD në këto vite një opozitë të vërtetë. Ju anëtarë, drejtues të FRPD nuk kursyet asgjë në këto vite, u përballët me dhunën dhe terrorin e narkoshtetit, me egërsinë e narkopolicisë së tij, me shëmtinë e qelive të burgjeve dhe të komisariateve, për të mbrojtur idealet e PD, për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e saj, për të mbajtur në këmbë një opozitë që duhej tu printe shqiptarëve drejt fitores. Për mua ky takim është më i rëndësishmi, vendimtari në përpjekjen tonë për një rindërtim të plotë të PD-së, për shtrimin e saj në një opozitë të vërtetë shqiptare në një forcë të sigurtë të fitores dhe ju garantoj ju se besimin tim e kam të bazuar sepse unë e di që ju jeni vajzat e djemtë e idealeve më të pastra të shoqërisë shqiptare.

Jam i bindur se jeni të rinjtë me ëndrrat më të bukura për veten, shoqërinë dhe Shqipërinë. Guximi juaj është më i madhi, më i pakufishëm se i gjithë të tjerëve dhe besoj shumë se kjo foltore do jetë një shtytje e madhe për shoqërinë shqiptare, për PD e cila ndodhet në këto momente në një moment kritik.

Kam bindje se sëbashku do të krijojmë me shpejtësi opozitën e vërtetë shqiptare. Një lloj si 30 vite më parë nënat dhe baballarët tuaj përmbysën diktaturën komuniste, ne do përmbysim narkoshtetin e bazuar në drogën krimin, korrupsionin. Do shembim muret dhe do përmbysim këtë regjim, i cili më armik se me këdo tjetër është me të rinjtë shqiptarë”, tha Berisha.

Top Channel