Manchester City ia ka dalë të fitojë derbin ditën e sotme përballë Mançester United me rezultatin e pastër 0-2.
Të besuarit e trajnerit Pep Guardiola e nisën ndeshjen me ritëm të lartë dhe në minutën e shtatë gjetën avantazhin. Në fakt, në ndihmë iu erdhi edhe mbrojtësi i “Djajve të Kuq”, Eric Baily i cili devijoi gabimisht sferën në portën e tij duke mos i lënë asnjë mundësi reagimi edhe portierit De Gea.
Megjithatë, ky i fundit në dy raste të tjera i mohoi golin e dytë “Qytetarëve”, teksa falë reflekseve ndali Gabriel Jesus dhe Cancelo. Në vazhdim, Ronaldo provoi të zgjonte të tijtë, por Ederson ishte në pozicion për të pritur goditjen e luzitanit, ndërsa nga pranë portës nuk përfitoi as Greenwood. Sakaq, kur pritej përfundimi i pjesës së parë me rezultatin 0-1, Bernardo Silva dyfishoi rezultatin për City duke befasuar De Gean.
Në fraksionin e dytë të lojës, United provoi të ndryshonte sjellje në fushë për t’i bërë dëm rivalëve të qytetit, megjithatë lojtarët e Pep Guardiolës patën kontroll të plotë duke marrë tre pikë të vlefshme. Pas kësaj sfide, City ngjitet në vend të dytë, dy pikë pas Liverpool-it kryesues, ndërkohë që United mbetet në vendin e pestë me 17 pikë.
Top Channel