Ministrja e Finances dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj këtë të premte ka njoftuar se Komisioni Evropian ka disbursuar 90 milionë euro ndihmë makro-financiare për Shqipërinë, me qëllim reduktimin e pasojave ekonomike të shkaktuara nga pandemia Covid-19.
“Shqipëria përfitoi 90 milionë euro si ndihmë makro-financiare nga Komisioni Evropian, me qëllim reduktimin e pasojave ekonomike të shkaktuara nga pandemia COVID-19”, shkruan Ibrahimaj.
Ministrja i shprehu mirënjohjen ambasadorit të BE-së në Shqipëri, z.Luigi Soreca për mbështejen e vazhdueshme që po i jepet vendit, për të përmbushur agjendën e rëndësishme të reformave drejt integrimit.
Ajo tregon se dhënia e këtij fondi tregon se Shqipëria ka përmbushur me sukses kushtet e Asistencës Makro-Financiare të BE-së, për një program mbështetjeje prej 180 milionë eurosh, duke treguar se ka arritur:
Të forcojë financat publike,
Të ketë qëndrueshmëri në sektori financiar,
Përmirësim të qeverisjes dhe angazhim në luftën kundër korrupsionit,
Si dhe rritje të mbrojtjes sociale.
Më herët, kujtojmë se lajmi u dha nga komisioneri evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili përmes një njoftimi në Twitter dha lajmin se janë disbursuar 90 milionë euro ndihmë makro-financiare për Shqipërinë.
Në deklaratën e tyre, Komisioni Evropian njofton se, në emër të BE-së, ka disbursuar sot 90 milionë euro Asistencë Makro-Financiare (MPJ) për Shqipërinë. Ky disbursim është kësti i dytë dhe i fundit i një programi mbështetjeje prej 180 milionë eurosh për Shqipërinë, i cili është pjesë e paketës së MPJ-së prej 3 miliardë eurosh për dhjetë partnerë të zgjerimit dhe fqinjësisë që synon t’i ndihmojë ata të kufizojnë pasojat ekonomike të pandemisë COVID-19. Programi është një demonstrim konkret i solidaritetit të BE-së me partnerët e saj për të ndihmuar në përgjigjen ndaj ndikimit ekonomik të pandemisë COVID-19, thuhet në deklaratë.
Paolo Gentiloni, Komisioneri për Ekonominë, tha: Jam shumë i kënaqur që shoh këto fonde të rrjedhin sot në Shqipëri. Ky disbursim është një demonstrim i solidaritetit të BE-së me popullin shqiptar, por edhe i angazhimit të Shqipërisë për të përmbushur axhendën e rëndësishme të reformave të rënë dakord me Komisionin Evropian.
Disbursimi i parë prej 90 milionë eurosh për Shqipërinë në kuadër të këtij programi të MPJ-së u bë në mars 2021.
Top Channel