Qeveria ka ndryshuar propozimin për taksën e qumështit pluhur duke përjashtuar fabrikat e prodhimit me etiketë të miratuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
Ndryshimi ku Financat tërhiqen nga propozimi fillestar është reflektuar në projektligjin e depozituar tashëm në Kuvend ku përfshihet edhe kjo shtesë përmes një neni të posaçëm.
Më herët, qeveria kishte propozuar vendosjen e taksës 100 lekë për kg për të gjitha kategoritë, masë e cila nuk u mirëprit nga grupet e interesit dhe nga shoqatat e biznesit.
Pak ditë më parë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë deklaronte se kjo masë jo vetëm nuk ndihmonte fermerët me rritjen e prodhimit vendas, por ndikonte në të gjithë industrinë agropërpunuese që prodhon produkte ku si lëndë e parë është qumështi pluhur.
Ndër të tjera, në draft është bërë një tjetër shtesë ku propozohet edhe vendosja e taksës për pijet homogjenizuara, (barista) në vlerën 16 lekë për litër, edhe ky propozim i industrisë së përpunimit të qumështit në vend që duket se është marrë parasysh nga qeveria.
Taksa 100 lekë për kg për qumështin pluhur ishte një ndër ndryshimet e reja të paketës fiskale që tashmë ka nisur diskutimin me grupet e interesit në komisionet parlamentare në Kuvend.
Top Channel