Policia e Elbasanit ka mundur të gjejë dhe arrestojë autorin e dyshuar të vrasjes së 28-vjeçarit dhe plagosjes së vëllait të viktimës.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se autorit të dyshuar i është sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjeti prerës (thikë) me të cilën autori kreu krimin.

Raportohet nga autoritetet se personi i dyshuar si autor i vrasjes është Ardit Hida, 24-vjeç.

”Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë të Komisariatit të Policisë Elbasan dhe ato të DVP, veprimeve të shpejta hetimore e profesionale, krehjes së zonës dhe kontrolleve të shumta, u bë e mundur kapja e autorit të dyshuar të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e sotme në Elbasan.

Shërbimet e Policisë kapën dhe shoqëruan në Polici për veprime të mëtejshme shtetasin Ardit Hida 24 vjeç, i cili u kap në lagjen “Brigada e 17 Sulmuese”.

Gjithashtu u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i thikës me të cilën ky shtetas plagosi dy vëllezërit, ku si pasojë e plagëve të marra njëri prej vëllezërve shtetasi F.K., rreth 28 vjeç, banues në Elbasan ka ndërruar jetë ndërsa vëllai tjetër shtetasi M.K.,19 vjeç, ndodhet në spital për ndihmë mjeksore”, njofton policia.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA