Autoritetet turke kanë nisur procedurat ligjore ndaj 30 personave që përhapën në Twitter lajmin e rremë se presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka ndërruar jetë.
Hashtagu i përdorur prej tyre u kthye në temë dite në mediat sociale në Turqi. Personat e vendosur nën hetim përballen me akuzën e përhapjes së lajmeve të rreme me përmbajtje manipuluese dhe fyerjen e presidentit.
Spekulimet mbi shëndetin e kreut 67 vjeçar të shtetit turk janë shtuar këto kohë. Në një video të fundit, Erdogan dukej sikur mezi qëndronte në këmbë dhe kishte vështirësi në ecje. Ndihmësit e tij megjithatë janë përpjekur t`i fashisin këto pretendime duke postuar filmime në të cilat Erdogan shihet në gjendje të mirë dhe ecën mjaft shpejt pas një fluturimit nga Stambolli në Ankara.
Muajin e kaluar, ata nxorrën dhe një video ku Erdogan shihej duke luajtur basketboll. Të dielën, presidenti turk u takua me shefin e Shtëpisë së Bardhë në Romë, ku ndodheshin për samitin e G20-tës. Ai duhet të udhëtonte më pas drejt Glasgow-t, për të marrë pjesë në konferencën e klimës, por i anulloi planet, për një mosmarrëveshje siç u tha, mbi protokollin e sigurisë.
Top Channel