Top Story/ Dokumentet ekskluzive, ja letrat e guvernatorit të BSH drejtuar institucioneve në lidhje me shqetësimin për firmat piramidale

04/11/2021 00:52

Top Story disponon dokumente të klasifikuara si sekret që vërtetojnë shqetësimin e vazhdueshëm të Bankës së Shqipërisë për fenomenin e fajdeve. Dokumente që mbajnë firmën e guvernatorit të asaj kohe Kristaq Lumniku, i cili për shkak të trazimit që shkaktoi asokohe me shqetësimet e tij, sipas tij u detyrua të largohej nga vendi.

Ky dokument i Bankës së Shqipërisë mban datën 22 gusht 1996. Në letër citohet që guvernatori falenderon për përgjigjen e vetme që ka marrë nga institucionet e ekzekutivit për të gjitha shkresat dhe dokumentet e dërguara gjatë gjithë vitit në lidhje me problematikën e fajdeve.
Guvernatori thekson në këtë dokument që ky treg ka përmasa të frikshme dhe me pasoja për jetën ekonomike, financiare, sociale dhe politike të vendit.

Në këtë letër BSH kërkon formalizimin e këtyre firmave.
Një tjetër letër secrete që disponon Top Story i drejtohet prokurorit të përggjithshëm Alush Dragoshit mbi aktivitetin e paligjshëm të firmës Silva Shpk, e cila e cilëson aktivitetin e marrjes së depozitave nga publiku si pranim depozitash me qëllim ndërtimin e një fabrike të rërës bituminoze.
Banka thekson në letrën drejtuar prokurorit të përgjithshëm se ky është aktivitet mirëfilli bankar dhe në kundërshtim me ligjin dhe kjo kompani nuk ka bërë asnjë kërkesë pranë Bankës së Shqipërisë për tu pajisur me licensë.

Një tjetër letër e BSH që disponon Top Story dhe mban datën 18 nëntor 1996 i drejtohet kryeministrit të asaj kohe Aleksandër Meksit, për dijeni Ministrit të Financave Ridvan Bodes dhe kryetarit ët ShISH Bashkim Gazidedes.

Kjo letër ka nota më të larta shqetësimi duke theksuar se tregu informal i grumbullimit të depozitave nga publiku të disa firmave të palicensuara nga banka e Shqipërisë është bërë agresiv kohët e fundit dhe si pasojë e konkurrencës mes tyre, interesat janë ngritur disa fish duke dëmtuar edhe aktivitetin e sistemit bankar dhe zbatimin e politikës monetare nga ana e BSH.

Këtë letër dy ditë më vonë e pason një tjetër letër konfidenciale për tërheqje vëmendjeje në lidhje me tregun informal të mbledhjes së parave nga publiku.
Guvernatori Luniku i kërkon qeverisë, Ministrit të Financave, atij të drejtësisë, prokurorit të përgjithshëm dhe drejtuesit të Shish që të mbahet një qëndrim zyrtar dhe unik ndaj tregut informal me qëllim që të sigurohet transparenca e të nxirren konkluzione.

“Zhvillimet e fundit të këtij tregu janë me të vërtetë alarmante. Shoqëri tregtare, fondacione dhe individë të ndryshëm, me ose pa aktivitet tregtar prodhues dhe shërbimi kanë filluar një garë të ethshme për para. % e interesave të grumbullimit janë ngritur jashtë çdo parashikimi, çka forcon edhe një herë komentet e bëra nga ana jonë në letrat e mëparshme se ky treg po vjen drejt një fundi të pashmangshëm. Kolapsi do të sjellë pasoja të pariparueshme ekonomike, sociale, etj”- citon në letrën e tij guvernatori i BSH Kristaq Luniku.
Ai në letër citon gjithashtu se Ministria e Drejtësisë nuk jep asnjë mendim mbi bazueshmërinë ligjore të këtij aktiviteti.

Top Channel