Takimi i radhës mes tre vendeve që janë pjesë e “Open Balkan”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut do të zhvillohet në Beograd sot.
Vendi ynë do përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama, kryeministri Zoran Zaev do të zëvendësohet nga zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, pasi pak ditë më parë pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, ai u dorëhoq pas humbjes së thellë në zgjedhje.
Ai tha se LSDM do të vazhdojë të qeverisë vendin, duke nënkuptuar se angazhimi e premtimet e bëra edhe në kuadër të “Ballkanit të Hapur” do të mbeten.
Sikurse edhe në takimet e shkuara të këtij formati, Vuçiç, Rama dhe Dimitrov në ditën e parë të samit do të zhvillojnë një ecje në qendër të Beogradit.
Dita e dytë e takimit do të nisë me një takim me përfaqësuesit e biznesit e më pas me ata të Këshillit Atlantik për t’ia lënë vënë vendit takimit trepalësh.
Për atë çfarë do të dakordësohet në këtë takim Vuçiç, Rama dhe Dimitrov do t’i deklarojnë në një konferencë të përbashkët për mediet.
Edhe ky takim i radhës e gjen iniciativën e Ballkanit të Hapur pa Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën.
Agjenda e zbardhur e “Open Balkan”:
08.55 Mbërritja dhe foto e përbashkët e zyrtarëve
09.00-10.00 Takimi i zyrtarëve me biznesmenë
Shënim: Kameramanët dhe fotoreporterët do të mund të regjistrojnë fillimin e takimit.
10.00-10.30 Takimi i zyrtarëve me përfaqësues të Këshillit Atlantik
Shënim: Kameramanët dhe fotoreporterët do të mund të regjistrojnë fillimin e takimit.
10.30-11.30 Takimi i Presidentit Aleksandar Vuçiç me Kryeministrin
Edi Rama dhe zëvendëskryeministrin Nikolla Dimitrov
11.30-12.30 Konferencë e përbashkët për shtyp e tre zyrtarëve.
Kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në 29 korrikun e kaluar, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohet në 4 liritë e mëdha të bashkëpunimit në botën perëndimore: liria lëvizjes së mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.
Nisma për bashkëpunim rajonal u përkrah edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE dhe Gjermania e cila doli në një deklaratë ku kërkoi me urgjencë që të nënshkruhet marrëveshja për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor.
Por Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk kanë pranuar të jenë pjesë e kësaj nisme, edhe pas thirrjeve për bashkëpunim.
Top Channel