Organizata Botërore e Shëndetësisë tha alarmin për situatën në Europë duke thënë se numri i rasteve të reja me COVID-19 u rrit javën e kaluar ne menyre te ndjeshme. Kontinenti i vjetër sipas saj ka shtimin me te madh të infeksioneve për të pestën javë radhazi.
Në raportin e fundit epidemiologjik OBSH-ja thotë se bota pa një rritje prej tre për qind të rasteve të reja, e kryesuar nga Europa, me rritjen më të lartë prej gjashtë për qind, pasuar nga Amerika me një rritje prej tre për qind dhe zona e Paqësorit perëndimor, me një rritje prej dy përqind.
Ndërkohë, rajone të tjera të globit patën ulje të rasteve dhe zona e Mesdheut lindor shënoi rënien më të madhe me 12 përqind, ndërsa Afrika dhe Azia Juglindore nëntë përqind secila.
Rritja e vazhdueshme e infeksioneve me COVID-19 në Rusi kontribuoi në numrin e lartë të rasteve të reja në Europë. OBSH-ja njoftoi sakaq se ka miratuar vaksinën Covaxin për COVID-19 me qëllim përdorimin urgjent. Covaxin është vaksina e parë e prodhuar nga India që merr këtë autorizim. Vaksina me dy doza rekomandohet për grupmoshat 18 vjeç e lart.
Top Channel