Deputeti i Partisë Socialiste, Eduart Shalsi këtë të enjte është shprehur se ligji për bashkëqeverisjen është i një rëndësie të veçantë, pasi përmes këtij ligji, arrihet të gjurmohen jo vetëm lloji i problemit, por edhe institucionit që i adresohet.
Nga foltorja e Kuvendit, deputeti Shalsi theksoi se ka ndjekur nga afër skemën e koordinatorëve të biznesit dhe ka qenë i përfshirë në punën e tyre, pasi shumë debateve dhe vërejtjeve racionale, ndryshimet e propozuara e kanë bërë sigurisht më të mirë ligjin.
Ai tha se nga ajo çfarë ka dëgjuar këtu, në Kuvend, në rastin më të mirë është moskuptimi i këtij ligji. Sipas tij, pranë çdo institucioni të vendit ishte gjithmonë një person i dedikuar që ndiqte protokollin e çdo shkrese që vinte. Sipas tij, me ligjin e ri, gjurmimi i ankesave, shkresave dhe adresimi i tyre do kuptohet më mirë.
Shalsi tha se nuk kishte ndodhur më parë që një ankesë nga biznesi të merrej dhe të shqyrtohej me aq shumë seriozitet, nëse ajo shfaqte një problem juridik apo të një natyre tjetër. Ajo ankesë, tha ai, kishte të bënte me mënyrën se si funksionon një institucion, në lidhje me vullnetin e punonjësve për t’i dhënë zgjidhje, sigurisht edhe korrupsionit.
“Mund të them se rrjeti i koordinatorëve të biznesit na ka nxitur që të kuptojmë më mirë disa institucione. Ne jemi dëshmitarë të asaj që kemi pasur institucione të dobëta, sepse institucionet e forta duhet shumë vite të krijohen. Të gjithë kemi qenë dëshmitar të asaj se si janë rekrutuar punonjësit në këto insitucione, siç kemi qenë dëshmitar edhe të aleancave politike. Ne kemi vuajtuar nga brishtësia e institucioneve. Një ligj të tillë, kaq të plotë nuk e ka asnjë vend tjetër, pasi problematikat e institucioneve tona janë krejt të ndryshme nga ato të vendeve të tjera”, tha ai.
Gjatë fjalës së tij, Shalsi tha se shumë nisma të mira kanë dështuar jo si pasojë e mungesës së vullnetit, por pikërisht për shkak të mungesës së të dhënave adekuate .
“Në fund të ditës, ne do mësojmë se për çfarë ankohen këto biznese dhe kujt i drejtohen. Kjo gjë lejon një pamje më të plotë për t’u adresuar drejt problematikave thelbësore. Në bashkëpunim me qytetarin dhe sipërmarrësin në vend, mund të arrijmë t’u japim zgjidhje shumë problematikave”, tha ai.
Kujtojmë se ky ligj përcakton rregullat për bashkëqeverisjen me qytetarët nëpërmjet gjithëpërfshirjes së tyre në politikëbërje, garantimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurat administrative vendimmarrëse, rritjen e përgjegjshmërisë dhe të llogaridhënies së administratës shtetërore. Ligji synon përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje, si dhe ndëshkimin e atyre që shkelin detyrën dhe nuk japin shërbimin e duhur.
Gjithashtu, ky ligj përcakton mekanizmat detyrues për shërbimet publike ndaj qytetarëve e sipërmarrjeve, si edhe sanksione financiare e administrative për zyrtarët që rezultojnë pengues të zgjidhjeve për qytetarët.
Top Channel