Zv.ministri i Arsimit u shkarkua kur po raportonte në Parlament për buxhetin, Zhupa: Ministren Kushi ose nuk e pyet njeri, ose tallet me parlamentin

03/11/2021 18:14

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa këtë të mërkurë ka reaguar në lidhje me shkarkimin e Olti Rrumbullakut si zv.ministër i Arsimit, duke deklaruar se titullaren e këtij institucioni ose nuk e pyet askush ose tallet me Parlamentin.

Në një reagim në Facebook, Zhupa shkruan se pas largimit të ministres Kushi nga Komisioni, e cila duhej të ikte në mbledhjen e qeverisë, pyetjeve të opozitës për pjesën e mbetur iu përgjigj zv/ministri Rrumbullaku.

E delegoi në mbledhje për të na dhënë përgjigje para Komisionit, ndërkohë shkoi në mbledhje tjetër për ta shkarkuar”, shprehet Zhupa.

Sipas saj, ose ministren e arsimit nuk e pyet njeri dhe as nuk e kishte idenë që do e shkarkonin zv.ministrin e saj, ose ajo është tallur me Parlamentin, duke lënë në raportim dikë që ishte në shkarkim.

Të dyja tregojnë nivelin e përgjegjshmërisë dhe profesionalizmin e kësaj qeverisje”, shkruan ajo.

Kujtojmë se në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratuan të tjera ndryshime në Qeveri. Konkretisht është emëruar në detyrën e zv/ministres së Arsimit, Albana Tole. Tole zëvendësoi Oltion Rrumbullakun, i cili lirohet nga detyra si  zëvendësministër i Arsimit. Rrumbullaku u emërua në këtë detyrë më 11 dhjetor 2019 në vend të Redi Shtinos.

Top Channel