Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha ka mësuar detaje të reja nga atentati ndaj biznesmenit Demir Backa në Fier i cili u ekzekutua me breshëri plumbash më 23 tetor.
Hoxha raporton se për vrasjen e tij është marrë në pyetje edhe personazhi i njohur në Fier si ‘Ben Qimja’, apo Arben Isufaj.
Siç bëjnë me dijë burime të sigurta të Top Channel oficerë të policisë kanë marrë në pyetje ‘Ben Qimen’, pasi ishte i ditur fakti se 5 vite më parë ata kishin pasur një konflikt.
Isufaj i është përgjigjur ftesës së policisë, për të dhënë deklaratën, dhe ai ka mohuar përfshirjen në vrasje, por pranon se ka pasur konflikt në 2016, por siç ka thënë ai në polici, megjithëse nuk ishin pajtuar, ai e kishte falur Backën.
Isufaj është lënë i lirë tashmë, ndërsa siç raporton Anila Hoxha, ai ka treguar në polici se ngjarjen e mësoi në mediat ndërsa ishte në shtëpi në Tiranë.
Të njëjtën gjë e kishin deklaruar edhe më herët familjarë të tij, kur policia kishte shkuar për t’i çuar fletëthirrjen për deklaratë.
Ndërkohë gazetarja Anila Hoxha mëson se janë marrë në pyetje dhe persona të tjerë ndërsa hetimet me metoda proaktive vazhdojnë ku përfshihen përgjime dhe të dyshuar nga Vlora që dyshohet se janë pajtuar për të vrarë Backën .
Si ndodhi ngjarja?
57- vjeçari Demir Backa u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në makinën e tij, të parkuar në një rrethrrotullim vetëm pak metra larg postbllokut të policisë në Fier.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës pak pas orës 20, kur në zonë kishte ende shumë kalimtarë. Backa mori plagë të rënda dhe humbi jetën në spital.
Kush është Ben Qimja?
Isufaj konsiderohet si më i forti i të fortëve në Fier. Ai është dënuar për trafik droge nga drejtësia Italiane. Referuar dosjes që Top Story disponon, hetimi pasuror ka nisur bazuar në një referim të Policisë që në vitin 2017 por hetimi u finalizua vetëm pas 4 vitesh. Nga perandoria ekonomike që është hetuar nga SPAK, në fund u vendos sekuestrimi vetëm për 13 asete nga të cilat 6 automjete, 5 sipërfaqe toke dhe 2 kompani thuajse inaktive.
Top Channel