Takimi i radhës mes tre vendeve që janë pjesë e “Open Balkan”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut do të zhvillohet në Beograd më 4 nëntor. Ky samit ndryshe nga ata të shkuarit, nuk do ta gjej kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev në krah të homologut shqiptarë Edi Rama dhe presidentit Serb Alexandar Vuçiç.

Kjo ishte tema e ditës për të cilën u diskutua sot ‘Top Talk’, me të ftuar, Dritan Hilën, i cili u shpreh se me dorëheqjen e Kryeministrit Maqedonas, Zoran Zev, ‘Open Balkan’ i ka ardhur fundi, ndërsa jep edhe disa prej shkaqeve që do të çojnë në shpërbërjen e kësaj nisme!

“Zaev ishte figura me e qasur dhe e ndershme e treshes Rama-Vuçic-Zaev, e cila akuzohet se është një projekt i Vuçiç, të cilit Rama po i shkon mbrapa dhe do krijojë Jugosllavinë e re. Futja, ribërja Open Balkan me një treshe që praktikisht është shndërruar në një dyshe vetëm me Ramën dhe Vuçic, mendoj se është një goditje për ‘Open Balkan’.

Me ikjen e Zaev mbyllet edhe ‘Open Balkan’ sepse nuk i dihet kush vjen mbrapa! Ka marrë një goditje të madhe, proceset e dorëheqjes dhe zgjedhjeve, sepse ne jemi në mes të kësaj çorbe ballkanike, shtrohet gjithmonë çështja e dorëheqjes, por gjithsesi duke dalë nga konteksti. Zgjedhjet lokale nuk kanë lidhje me ‘Open Balkan’, është një problem, i ngritur dhe në momentin që kanë mbetur vetëm Rama dhe Vuçiç, ‘Open Balkan’ është i vdekur. S’kemi më ‘Open Balkan’, sepse Kosova është kundra, Maqedonia është neutrale, atëherë për çfarë do vazhdoj ky proces? ”, tha Hila.

Kujtojmë se, Zaev vendosi të dorëhiqet pasi partia e tij dështoi të marrë shumicën. Koalicioni qeverisës i Maqedonisë së Veriut i përbërë nga socialdemokratët dhe Bashkimi Demokratik kanë një mazhoritet të ngushtë, 62 vende nga 120 gjithsej. Pas dorëheqjes së Zoran Zaevit mbetet të shihet, nëse socialdemokratët do të vazhdojnë të qeverisin me një lider të ri. Alternativat e tjera – një qeveri e drejtuar nga VMRO-DPMNE apo zgjedhjet e parakohshme nuk duken realiste për momentin.

Kujtojmë se, kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në 29 korrikun e kaluar, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohet në 4 liritë e mëdha të bashkëpunimit në botën perëndimore: liria lëvizjes së mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Nisma për bashkëpunim rajonal u përkrah edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE dhe Gjermania e cila doli në një deklaratë ku kërkoi me urgjencë që të nënshkruhet marrëveshja për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor.

Por Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk kanë pranuar të jenë pjesë e kësaj nisme, edhe pas thirrjeve për bashkëpunim.

Top Channel