Edhe profesioni i noterit në Republikën e Shqipërisë pritet t’i nënshtrohet procesit të vettingut.
Lajmi u bë me dije nga vetë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë.
Manja theksoi se këto ndryshime, jo vetëm përcaktojnë kriteret e reja për pranimin në profesionin e noterit, por është ndërtuar edhe një vetting për sistemin noterial në Shqipëri.
Sipas tij, Ministria e Drejtësisë, do përcaktojë edhe mekanizmat e filtrimit të këtij shërbimi nëpërmjet inspektimeve të unifikuara apo hetimeve proaktive.
“Nëpërmjet këtyre ndryshimeve përcaktojmë kritere të reja për futjen në profesionin e noterit dhe që kanë të bëjnë me mospërfshirjen në këtë sistem të personave që kanë lidhje apo kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar ose persona të dënuar për kryerjen e veprave penale të rënda. Këtyre kritereve të reja do t’i nënshtrohen edhe noterët që tashmë janë pjesë e shërbimit noterial, nëpërmjet inspektimeve proaktive që do të ushtrojë Ministria e Drejtësisë”, tha ai.
Manja theksoi se ndryshimet që miratuan sot vijnë edhe si përmbushje e rekomandimeve të lëna nga partnerët tanë ndërkombëtarë në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave dhe masave kundër financimit të terrorizmit.
Ai tha se janë angazhime të qeverisë shqiptare që përmbushën plotësisht, me ndryshimet që do t’i paraqesin Kuvendit me ligjin për noterinë.
“Po ashtu në kriteret e reja që përcakton ligji, pjesë e shërbimit të noterisë nuk mund të jenë as noterët që tashmë janë në profesion dhe që janë në listën e personave të shpallur sipas legjislacionit në fuqi në kuadër të masave kundër financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave”, u shpreh ministri.
Ndër të tjera, Manja tha se gjithashtu janë përcaktuar kritere të reja për pranimin në këtë profesion, siç janë kriteret e vendosura për gjyqtar dhe prokuror në shkollën e Magjistraturës, gjithashtu projektligji i ri përcakton të njëjtën procedurë dhe të njëjtat kritere për heqjen e licensës apo dhënien e masave disiplinore të njëjta si për gjyqtarët dhe prokurorët.
Pyetje: A do të jetë e nevojshme një proces vettingu aktual?
Manja: Të falenderoj për pyetjen. Në fakt ndryshimet që përcaktohen sot jo vetëm përcaktojnë kriteret e reja për pranimin në profesionin e noterit, por as më shumë dhe as më pak, është një proces vettingu për noterët e sistemit që sot janë në këtë shërbim dhe që kanë të bëjnë me verifikimin e kontakteve të papërshtatshme apo me lidhje me krimin e organizuar apo me personat e dënuar për kryerjen e veprave të rënda penale. Apo që janë pjesë e listës së shpallur sipas legjislacionit në fuqi në kuadër të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Është vetting për sistemin noterial në Shqipëri.
Pyetje: Ju thatë se është vetting, por kush do ta realizojë këtë vetting?
Manja: Ligji për noterinë që është ligj i ri i vitit 2018, ka përcaktuar edhe mekanizmat e filtrimit të këtij shërbimi dhe është Ministria e Drejtësisë që nëpërmjet inspektimeve të unifikuara apo hetimeve proaktive që do ta bëjë filtrimin e këtij sistemi. Le të themi se është një shërbim i deleguar, por që përgjegjës për këtë shërbim është Ministria e Drejtësisë.
Top Channel