Gara për guvernator supozohej të ishte një fitore e lehtë për demokratët, por gjërat ndryshuan.
Anketat tregojnë se demokrati Terry McAuliffe, i cili ka shërbyer në atë post nga viti 2014 deri 2018, është në garë të ngushtë me republikanin Glenn Yungkin. Republikanët nuk kanë fituar postin e guvernatorit të Virxhinias që nga viti 2009, raporton VOA.
Kandidati republikan Gleen Youngkin bëri çmos që të mbante larg fushatës ish-Presidentin Donald Trump. Gara për guvernatorin e Virxhinias mes demokratit Terry McAuliffe dhe republikanit Youngkin po ndiqet nga afër si një tregues i mundshëm për zgjedhjet e e mesmandatit për Kongres vitin që vjen. Duket se strategjia e republikanit Youngkin ka patur efektin e synuar.
Shumica e votuesve në Virxhinia thonë se kanë pikëpamje të pafavorshme ndaj ish-presidentit, por kandidati republikan për guvernator vlerësohet më mirë.Sipas një sondazhi nga Associated Press, rreth gjysma e të anketuarve kanë opinion të favorshëm ndaj kandidatit republikan.
Ekonomia u rendit si çështja kryesore për shtetin e Virxhinias, pasuar nga koronavirusi dhe arsimi. Votuesit ishin të ndarë në opinionet e tyre mbi punën e Presidentit Joe Biden.
Votimet e së martës janë më të rëndësishmet që kur zoti Biden mundi zotin Trump vitin e kaluar. Zgjedhjet në Virxhinia shihen gjerësisht si barometërpër zgjedhjet e mesmandatit për Kongresin amerikan vitin që vjen. Rezultati gjithashtu mund të ofrojë një panoramë të përgjithshme për të hartuar planet e fushatave zgjedhore në shtetet e pavendosura.
Të dy kandidatët mbajtën aktivitetet përfundimtare të fushatës të hënën në periferi të Virxhinias. Zoti McAuliffe në muajt e fundit ka pësuar ulje në sondazhe. Është e njëjta periudhë kur edhe mbështetja për presidentin Joe Biden ra nga 50 për qind në pak më shumë se 40 për qind.
Top Channel