Goditja e krimit kibernetik/ Shqipëria pjesë e operacionit ndërkombëtar, këshilla si të mbroheni nga mashtruesit në internet

03/11/2021 12:06

Policia e Shtetit u bë pjesë e operacionit ndërkombëtar të udhëhequr nga EUROPOL për goditjen e krimit kibernetik.

Specialistja e krimit kibernetik, Suela Bonjaku në një deklaratë për mediat ka dhënë detaje sot për operacionin me fokus krimet kibernetike dhe nisjen e fushatës sensibilizuese #SellSafe .

Autoritetet e zbatimit të ligjit nga vendet pjesëmarrëse: Shqipëri, Austri, Belgjikë, Kolumbi, Kroaci, Greqi, Hungari, Irlandë, Itali, Gjeorgji, Holandë, Maqedoni e Veriut, Poloni, Portugali, Slloveni, Sllovaki, Spanjë, Zvicër dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mbështetura nga EUROPOL dhe Këshilli i Rrezikut të Tregtarëve  zhvilluan një operacion në shkallë të gjerë, nga data 1 deri në datën 31 tetor.

Operacioni u fokusua në përdorimin e disa aplikacioneve në telefonat celularë, të cilat lidheshin me bankat për të kryer transferime dhe blerje në mënyrë të paligjshme.

Si rezultat i operacionit u arrestuan 28 persona në vendet pjesëmarrëse, si të dyshuar për mashtrimin me transaksione.

Në vijim të këtij operacioni ndërkombëtar, të gjitha vendet pjesëmarrëse do të promovojnë fushatën duke përdorur hashtagun #SellSafe, për të ndihmuar shtetasit e tyre që të kuptojnë rreziqet e mashtrimit gjatë tregtisë në rrjet.

“Pas suksesit të fushatës ndërgjegjësuese 2020, për të nxjerrë në pah mënyrat kryesore për të luftuar mashtrimin në internet, EUROPOL, së bashku me Këshillin e Rrezikut Tregtar dhe vendet pjesëmarrëse, po fillojnë sot fushatën #SellSafe – shitje e sigurt, si pjesë e Veprimit të Tregtisë në rrjet 2021.

Qëllimi i fushatës është të bëjë tregtinë elektronike më të sigurt, duke promovuar metoda të sigurta blerjeje në internet dhe duke ndihmuar tregtarët e rinj të hapin dyqanin e tyre të parë në rrjet, duke shmangur rrezikun e sulmeve kibernetike.

Vendet pjesëmarrëse do të promovojnë fushatën përmes kanaleve të mediave sociale duke përdorur hashtagun #SellSafe, për të ndihmuar shtetasit e tyre të kuptojnë rreziqet e mashtrimit gjatë tregtisë elektronike.

Në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese #SellSafe – shitje e sigurt, me qëllim mbrojtjen e shtetasve, Policia e Shtetit kërkon prej qytetareve që të bëjnë kujdes duke zbatuar disa rregulla të thjeshta, por të domosdoshme për sigurinë e tyre në rrjet”, sipas Bonjakut.

Policia ka dhënë këshilla se si të mbroheni kur shisni produkte në rrjet nga mashtruesit në internet:

– Sigurohuni që të gjithë punonjësit tuaj të jenë të vetëdijshëm për çështjet e mashtrimit që prekin dyqanet në rrjet;

– Qëndroni të përditësuar mbi llojet e mashtrimeve të pagesave në rrjet që prekin këto lloj biznesesh dhe sigurohuni që të keni mjetet në dispozicion për t’i parandaluar ato. Institucionet e sigurisë, por dhe bankat me të cilat bashkëpunoni do të kenë detaje mbi llojet e mashtrimit të pagesave në rrjet. Kontaktojini!

– Njihini klientët tuaj, në mënyrë që të jeni në gjendje të verifikoni pagesat e tyre.

Këshilla për blerësit në internet:

– Asnjëherë mos dërgoni me e-mail numrin e kartës suaj, PIN-in ose ndonjë informacion tjetër të kartës;

– Asnjëherë mos i dërgoni para dikujt që nuk e njihni;

– Ruani gjithmonë të gjitha dokumentet që lidhen me blerjet tuaja në rrjet;

– Nëse nuk po blini asgjë, mos i paraqitni të dhënat e kartës suaj;

“Duhet kujdes gjatë lundrimit në internet, pasi grupet kriminale përshtatin vazhdimisht metodat e tyre te mashtrimit në internet, duke ju shfrytëzuar juve dhe këdo tjetër që nuk do të tregojë kujdesin e duhur. Që nga fillimi i pandemisë, shumë bizneseve iu është dashur të hyjnë në rrjet, për të vazhduar aktivitetet e tyre. Kjo ka bërë që shumë qytetarë të përdorin shërbimet në rrjet disa herë në periudha të shkurtra dhe gjithnjë e më shume blerjet po kryhen në këtë formë, gjë ka rritur mundësinë e sulmeve nga kriminelet kibernetike. Informohuni në vazhdimësi rreth mënyrave të reja të mashtrimit në rrjet, pasi kriminelët kibernetikë në vazhdimësi ndryshojnë format e tyre të veprimit. Policia e Shtetit, duke qenë gjithmonë në dispozicionin, fton qytetarët që për çdo informacion që do t’iu nevojitet, problematikë apo denoncim të kontaktojnë Njësinë e Hetimit të Krimeve Kibernetike në adresën e postës elektronike: [email protected], në numrin e telefonit 0694155552, si dhe në aplikacionet Whatsapp, viber etj. Çdo rast i mashtrimeve gjatë blerjeve në rrjet do të ndiqet profesionalisht, duke iu garantuar një reagim të shpejtë nga Njësia e Hetimit të Krimeve Kibernetike”, këshillon policia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA