Braçe: Jo më koncesione/ Deputeti socialist bashkon zërin me opozitën: Shkurtoni shpenzimet

03/11/2021 19:38

Koncesionet janë kthyer në një “mollë sherri” për mazhorancën dhe opozitën në komisionin e ekonomisë.

Kritikat më të forta për këto kontrata janë lëshuar nga zëri më opozitar brenda mazhorancës, deputeti Erion Braçe, sipas të cilit ka ardhur koha që të hiqet dorë nga kontratat që nuk sjellin asnjë përfitim. Shumë prej tyre sipas tij, janë shërbime që duhet të ofrohen nga vetë shteti.

“Koncesioni është i vlefshëm nëse koncesioni zgjidhet me garë, me transparencë, në rast se sektori është një sektor ku shteti s’bën dot asgjë por në sektorë ku shteti ka interesin e vet dhe sigurisë kombëtare, e tepërt. Tani duhet një bilanc, kanë marrë kohën e nevojshme por tani duhet një bilanc për efektivitetin e tyre.”

Ndër të tjera Braçe i bëri apel qeverisë për ulje të borxhit publik dhe kujdes me shpenzimet. “Gërshëra” shtoi si duhet të fillojë që tani pa miratuar buxheti për projekte të panevojshme.

“Pandemia vazhdon, do vazhdojmë të rrisim borxhin dhe të shpenzojmë. Fokusi duhet të jenë të ardhura, shtrëngojini këto koncesione për të rritur të ardhurat pa rritur tarifat, kjo është e vetmja rrugë dhe pastaj shkurtimi i shpenzimeve . Unë mendoj se borxhi 80% duhet të jetë fundi. Lapsi duhet të fillojë të qethë që tani pa u miratuar buxheti, shpenzime jo të domosdoshme çfarë të keni mundësi ne mbështesim që ju të shkurtoni.”

Qeveria është zotuar për ulje të borxhit publik vitin e ardhshëm në 78.9% nga 80% i pritshëm për këtë vit.

Top Channel