“Produktet vendase do të kushtojnë 30% më shumë”/ Prodhuesit kundërshtojnë paketën e re fiskale

02/11/2021 08:48

Ndryshimet fiskale të propozuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë me paketën fiskale 2022 janë kundërshtuar nga shoqatat prodhuese dhe të biznesit.

 

Heqja e TVSH-së të rimbursueshme për blerjet nga 6% që është aktualisht, vendosja e akcizës 6 lekë/litri për gazin për qëllime biznesi, heqja e rimbursimit të akcizës së lëndëve djegëse për industrinë, të cilat përdoren për nevoja teknologjike të prodhimit të produkteve në këta sektorë (farmaceutika, tullat, çimeto, birra dhe nafta bruto), si dhe përjashtimi nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 milionë lekë nga 50 milionë lekë që është aktualisht janë kundërshtuar nga shoqatat e biznesit në takimin konsultativ për Paketën Fiskale me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Presidenti i Qendrës të Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi tha për Monitor se këto ndryshime fiskale të propozuara godasin në terësi agroindustrinë bujqësore dhe ushqimore. Zusi pohon se rritja e taksave do të shtojë kostot e prodhimit vendas, do të rrisë produktet  e importit dhe çmimet e produkteve ushqimore. “Ndryshimet e propozuara nëse miratohen godasin rëndë gjithë agroindustrinë, përfshirë edhe atë ushqimore. Kostot për prodhimin vendas do të shtohen, nuk do të jenë të konkurrueshme. Rritja e taksave do të ndikojë edhe të rënia e eksporteve. Të gjitha ndryshimet godasin prodhimin vendas. Heqja e TVSH-së të rimbursueshme 6% rrit koston e prodhimit vendas. Në draft thuhet se skema do të zëvendësohet me skema subvencioni, por deri tani nuk është prezantuar asnjë skemë. Ndryshimet në projektligjin për akcizën do të shtrenjtojnë akoma më shumë gazin që përdorin prodhuesit. Përjashtimi nga TVSH-ja për importin e makinerive për investimet automatikisht rrit koston e blerjes të tyre”, nënvizon Zusi.

Nëse ndryshimet fiskale të propozuara do të miratohen, kreu i Qendrës të Eksporteve Shqiptare paralajmëron se nga 1 janari 2022 do të ndikojë të rritja e çmimeve. “Miratimi i paketës fiskale do të sjellë rritje të çmimeve për të gjitha produktet ushqimore me të paktën 30% nga 1 janari 2022. Prodhuesit nuk mund të përballojnë rritjen e taksave, teksa kostot e tyre janë shtuar nga rritja e çmimit të karburanteve, gazit, energjisë dhe lëndëve të para. Rritja e çmimeve do të ketë edhe impakt social te shoqëria, pasi shtrenjtimi i çmimeve nuk do të përballohej”.

Ndryshimet e propozuara me paketën fiskale janë kundërshtuar edhe nga industria e prodhimit të tullave dhe çimentove, përpunuesit e qumështit dhe agroindustria bujqësore. Grupet e interesit në takimin e ardhshëm me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë pritet të prezantojnë rekomandimet e tyre.

Projektiligji “Për akcizën”

Ky projektligj propozon masa të politikës fiskale në rishikimin e normave të niveleve të akcizës së disa produkteve, si dhe disa rregullime proceduriale të nevojshme për administrimin nga autoriteti doganor për të qënë në përputhje edhe me dispozitat e Kodit Doganor.

Këto ndryshime konsistojnë në: Ndryshimin e nivelit të akcizës për Duhanin dhe nënpro duktet e tij; Unifikimin e akcizës për “Gazet e naftës dhe hidrokarbure të tjera gazoike”; Indeksimin e nivelit të akcizës bazuar në indeksin e rritjes së çmimeve; Heqja e rimbursimit të akcizës së lëndëve djegëse për industrinë, të cilat përdoren për nevoja teknologjike të prodhimit të produkteve në këta sektorë (farmaceutika, tullat, çimeto, birra dhe nafta bruto); Unifikim i procedurave dhe penaliteteve me dispozitat e ligjit nr.102/2014 “Kodit Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

“Është parashikuar shfuqizimi i pikës 3 të nenit 51 “Produktet që paguajnë akcizë”, të ligjit, ky ndryshim vjen si nevojshmëri e rregullimit të dispozitës në të njëjtën linjë me ndryshimet e bëra në shtojcën nr. 1 që i bashkëlidhet këtij projektligji lidhur me unifikimin e akcizës për “Gazet e naftës dhe hidrokarbure të tjera gazoike”. Tashmë të gjithë konsumatorët do të kenë të njëjtin nivel taksimi (si për përdorim vetjak ashtu dhe për qëllime biznesi). Nga unifikimi i akcizës për gazet e naftës dhe hidrokarburet e tjera gazoike në nivelin 6 lekë/litri pritet që të arkëtohen rreth +375 milion lekë akcizë në vit”, thuhet në relacion.

Në  projektligji propozohet heqja e rimbursimit për lëndët djegëse të konsumuara në serat me ngrohje, për prodhimin e produkteve industriale dhe agroindustriale, të cilat përdoren për nevoja teknologjike të prodhimit të produkteve në këta sektorë (farmaceutika, tullat, çimeto, birra dhe nafta bruto). Aktualisht, ligji nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ka parashikuar rimbursimin për lëndët djegëse të konsumuara në serat me ngrohje, për industrinë dhe agroindustrinë. “Konkretisht, nga të dhënat rezulton se, nga kjo skemë rimbursimi ka përfituar vetëm industria, pasi për agroindustrinë nuk ka gjetur zbatim, si rezultat i mos kërkesës së subjekteve për të përfituar nga ky rimbursim. Sipas të dhënave, janë 11 subjekte përfituese nga kjo skemë rimbursimi për vitet 2020-2021, të cilët  rezultojnë të jenë pjesë e industrisë hidorkarbure, tullave dhe farmaceutike. Ky propozim vjen në kuadër të hartimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, ku Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), ka rekomanduar që të gjitha përjashtimet jo standarde, normat e reduktuara dhe trajtimet preferenciale duhet të eliminohen nga TVSH-ja, akcizat dhe taksat kombëtare. Konkretisht, sipas rekomandimit të FMN-së, akciza e karburantit duhet të paguhet për të gjithë kaburantin e përdorur në ekonominë e vendit”, citohet në relacion.

Projektligji “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”

Në projektligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar propozohet që norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor të bëhet 0 % nga 6% që është aktualisht dhe të zëvendësohet me skema subvencionimi. Prej vitit 2019, TVSH-ja që kompensohet në blerje është 6%  nga 20% që ishte para ndryshimit. Me nisjen e zbatimit të skemës të ndryshuar të TVSH-së nga 2019 vështirësitë në aktivitetin e përpunuesve të qumështit janë rritur nga viti në vit. Për shkak të ndryshimeve fiskale të 3 viteve më parë në tregje vihet re rritje e produkteve të importuara, që konkurrojnë nga çmimi produktet vendase. Në kahun tjetër shumë fabrika nuk kanë arritur të mbijetojnë, pasi ndryshimi i TVSH-së ka shtuar informalitetin.

Në relacionin e draftit thuhet se heqja e skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë dhe zëvendësimin e saj me subvencionim direkt të sektorit të bujqësisë, procedurë që është më e lehtë për tu monitoruar dhe kontrolluar nga pikëpamja fiskale është rekomanduar Fondi Monetar Ndërkombëtar. “Me anë të këtij projektligji, propozohet që, norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor të bëhet 0 për qind nga 6 për qind që është aktualisht. Kjo, pasi edhe nga zbatimi në praktikë i deritanishëm, mendohet se nga skema e kompensimit, prodhuesit bujqësorë objekt të kësaj skeme, nuk kanë marrë kompensimin sikundër është parashikuar dhe ka synuar kjo skemë, duke e bërë këtë të fundit jo funksionale”, citohet në relacion.

Një tjetër ndryshim fiskal i cili pritet të shtojë sërish kostot e industrisë është ai në Projektligji “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, ku përjashtimi nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave do të jetë për investimet me vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 milionë lekë nga 50 milionë lekë që është aktualisht.

Efektet financiare

Efekti i parashikuar në buxhetin e shtetit nga heqja e rimbursimit për lëndët djegëse është +800 milion lekë. Nga unifikimi i akcizës për gazet e naftës dhe hidrokarburet e tjera gazoike në nivelin 6 lekë/litri pritet që të arkëtohen rreth +375 milion lekë akcizë në vit”. Nga vendosja e taksës për qumështin pluhur të importit Ministria e Financave dhe Ekonomisë pritet të rrisë arkëtimet 100 milionë lekë/vit. Nga heqja e TVSH-së të rimbursueshme në blerje efekti te të ardhurat parashikohen të jenë 750 milionë lekë/vit më shumë dhe përjashtimin nga TVSH-ja për importimin e makinerive prodhuese me kontrata investuese deri në 500 milionë lekë, 200 milionë lekë/vit./ Revista Monitor

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA