“Kushtetuesja” brenda 30 ditëve pritet të vendosë për lokalet e 2019-ës

02/11/2021 12:28

Gjykata Kushtetuese këtë të martë shqyrtoi kërkesën e Shoqatës së Bashkive për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.

Vendimi pritet të jepet në 30 ditët e ardhshme, ku gjykata do të shprehet nëse zgjedhjet kanë qenë apo jo anti-kushtetuese.

Mësohet se nga kjo gjykatë u kërkua edhe verifikimi i procesit të regjistrimit të partisë “Bindja Demokratike”, në zgjedhjet lokale të 2019.

Në seancë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të interesuara si nga Kuvendi, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Avokati  i Popullit dhe Partia Bindja Demokratike. Nuk ka munguar as kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, e cila ka bërë edhe kërkesën në Kushtetuese.

Jordan Daci, avokat i shoqatës së bashkive, i bëri thirrje Kushtetueses që ta injorojë mendimin e Komisionit të Venecias. Ai thekson se Opinoni Këshillues nuk mund të diktojë qëndrimin përfundimtar të Gjykatës për këtë çështje, sipas tij, kërkimet dhe pretendimet e kërkuesit dhe të palëve të tjera, duke përfshirë edhe vlerësimet “ex officio”, që mund të bëjë gjykata, tejkalojnë mendimin në fjalë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave ka kërkuar nga Kushtetuesja respektim të mendimit të Venecias, me logjikën se gjykata nuk ka kompetencë për të vlerësuar ligjshmërinë e procesit zgjedhor.

Komisioni i Venecias është i mendimit se […], juridiksioni i Gjykatë Kushtetuese nuk përfshin shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore. […]. Duke pasur parasysh sa më sipër, Këshilli i Ministrave vlerëson se kërkesa duhet të rrëzohet duke qenë se Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për shqyrtimin e çështjeve të kësaj natyre”.

Sa i përket qëndrimit të Kuvendit, përfaqësuesja e këtij institucioni, tha se shoqata nuk legjitimohet për kërkesën e depozituar.

Ndërsa, juristja e Presidencës Ketrin Treska kërkoi pranimin e kërkesës nga Gjykata Kushtetuese, sipas saj, zgjedhjet pa opozitën ishin problematike, pasi qytetarëve iu hoq mundësia e zgjedhjes dhe ato votime ishin antikushtetuese.

Presidenca është e mendimit se kërkesat e shoqatës janë të drejta dhe çmon se Gjykata Kushtetuese duhet ta vlerësojë kushtetushmërinë e zgjedhjeve.

Risjellim në vëmendje faktin se Komisioni i Venecias ka theksuar se Gjykata Kushtetuese nuk mund ta ketë në kompetencën e saj gjykimin si antikushtetues apo jo një proces zgjedhor si ai i zgjedhjeve vendore të vitit 2019, por kjo nuk e pengon që të ushtrojnë kontroll mbi legjislacionin zgjedhor.

Gjashtë bashki janë pa kryetar. Presidenti Ilir Meta ka refuzuar të dekretojë një datë për zgjedhje në ato bashki, të cilat humbën kryetarin rrugës. Presidenti nuk e njeh 30 qershorin, por socialistët presin që Meta të ndryshojë qëndrim pas vendimit të gjykatës.

Shkodra është e vetmja qe drejtohet nga një kryetare me mandat të përfunduar kushtetues, pasi Voltana Ademi vendosi të qëndrojë në detyrë, ndërsa 5 bashkitë e tjera vijojnë punën me kryetar të komanduar.

Vendimi i Gjykatës: Ademi, jo kryetare e Shoqatës së Bashkive

Përfaqësuesja e qeverisë, Elira Kokona gjatë seancës së zhvilluar këtë të martë në Gjykatën Kushtetuese solli në vëmendje një vendim të Gjykatës së Tiranës, i datës 14.09.2021, për të reflektuar vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës së Bashkive me datë 31.08.2021 nga ku, kryetar i ri është zgjedhur Pjerin Ndreu, kryebashkiak i Lezhës.

Në vendimin që disponohet nga Top Channel , gjyqtari Julian Haxhiu e quajti në përputhje me ligjin mbledhjen e fundit të kësaj Asambleje dhe depozitimin e vendimit të marrë në Regjistrin e Organizatave jo Fitimprurëse.

 

Në të tilla kushte, Voltana Ademi nuk është më kryetare e kësaj shoqate, e si pasojë nuk gëzon legjitimitet në çuarjen përpara të kësaj kërkese në Gjykatën Kushtetuese.

Është pikërisht zonja Ademi, e cila kur drejtonte këtë shoqatë, iu drejtua me një padi Gjykatës Kushtetuese për pavlefshmëri absolute të zgjedhjeve të shkuara lokale.

Kërkesa e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë

Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve.

Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.

Vakancat në bashki

Valdrin Pjetri, Shkodra, për shkak të dekriminalizimit

Valbona Sako, Durrës, për shkak të dorëheqjes

Agim Kajmaku, Vorë, për shkak të dekriminalizimit

Dionis Imeraj, Dibër, kandidoi për deputet

Haxhi Memolla, Rrogozhinë, ndahet nga jeta

Fatos Tushe, Lushnje, për korrupsion

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA