Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos ka premtuar 2 miliardë dollarë për restaurimin e peizazheve natyrore dhe transformimin e sistemeve ushqimore.
Një premtim të tillë, Bezos e bëri gjatë fjalës së tij në samitin COP26 të OKB-së, që po mbahet në Glasgow.
Ai tha se udhëtimi i tij në hapësirë në muajin korrik e kishte ndihmuar të kuptonte se Toka ishte “aq e kufizuar dhe po ashtu aq e brishtë”.
“Duke e parë Tokën nga lart, atmosfera duket kaq e hollë. Bota është kaq e kufizuar dhe po kaq e brishtë. Në këtë vit të vështirë, ajo se çfarë duhet të bëjmë në dekadat e ardhshme është të qëndruarit së bashku, për të mbrojtur botën tonë”, tha ai.
Gjysma e shumës së premtuar nga Bezos do të shkojë për restaurimin e peizazhit në Afrikë dhe në Shtetet e Bashkuara.
Pjesa tjetër do të shpenzohet për reduktimin e sasisë së karbonit në atmosferë dhe për transformimin e sistemeve të prodhimit ushqimor.
Deri në vitin 2030 pritet të shpërndahen 2 miliardë dollarë.
Bezos themeloi gjigantin e shitjes me pakicë në internet “Amazon”, në vitin 1994. Ai renditet si personi i dytë më i pasur në botë. Bezos tha dorëheqjen si CEO i kompanisë në muajin korrik. Amazon synon të fuqizojë të gjitha operacionet e saj me 100 për qind energji të rinovueshme, deri në vitin 2025 dhe po punon për ta shndërruar flotën e saj të shpërndarjes në automjete elektrike.
Top Channel