I dënuar për vjedhje dhe trafikim të qenieve njerëzore, arrestohet në Durrës 20-vjeçari i arratisur nga Lipjani

02/11/2021 10:30
Foto ilustruese

Një 20-vjeçar i dënuar për vjedhje dhe trafikim të qenieve njerëzore në Kosovë u zbulua se jetonte i qetë në një apartament të Durrësit.

“Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës dhe Forca e Posaçme Operacionale Durrës,  në bashkëpunim me Interpol Tirana, FAST Albania dhe ILECU Kosovë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar ‘Arratia’”, njofton policia.

“Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi të shpallur në kërkim nga Kosova, nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikeve në DVP Durrës dhe Forca e Posaçme Operacionale Durrës,  në bashkëpunim me Interpol Tirana, FAST Albania dhe ILECU Kosovë, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Arratia”.

Riad Sopjani ishte  arratisur nga Qendra Korrektuese e Lipjanit në tetor të vitit 2020. Ai do të ekstradohet drejt Kosovës, për të vuajtur dënimin.

Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi provizor me qëllim ekstradimi drejt Kosovës, i shtetasit Riad Sopjani, 20 vjeç, banues në Prishtinë, i dënuar më parë në Kosovë, për grabitje, vjedhje dhe trafikim të qenieve njerëzore.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën ku ai strehohej në Durrës, gjetën dhe sekuestruan  në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike cannabis sativa.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ILECU Kosovë, pasi është i kërkuar në nivel vendor në Kosovë dhe ka tre urdhra ndalimi të lëshuara nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Ky shtetas është arratisur nga Qendra Korrektuese e Lipjanit, në tetor 2020”, njofton policia.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga strukturat hetimore të DVP Durrës u bë arrestimi provizor i tij, me qëllim ekstradimin në shtetin e Kosovës, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA