Bosnia në rrezik konflikti ndarjeje, thotë përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar (fotot)

02/11/2021 17:24
Kjo prej kërkesës së liderit serbo-boshnjak për një ushtri etnike serbe

Përfaqësuesi i komunitetit ndërkombëtar në Bosnie ka paralajmëruar se vendi është në rrezik urgjent të shpërbëries, dhe se ka mundësi “shumë reale” të kthimit në konflikt.

Kjo prej kërkesës së liderit serbo-boshnjak për një ushtri etnike serbe.

Në një raport të OKB të parë nga e përditshmja britanike “The Guardian”, Christian Schmidt, përfaqësues i lartë për Bosnie e Herzegovinën, thotë se nëse separatisët serbë realizojnë kërcënimet e tyre për krijimin e një ushtrie të vetën, forcat e armatosura të vendit do të ndahen në dy fronte dhe paqeruajtës ndërkombëtarë do të duhet të dërgohen përsëri në vend për të evituar një luftë të re.

Aktualisht në vend ka ende forca paqeruajtëse të mbetura që prej asaj të konfliktit të vitit 1992, që arrijnë deri në 700 njerëz. Nato ka një prezencë formale atje me seli kryesore në Sarajevë. Mandati i saj një-vjeçar pritet të rinovohet kësaj jave në Këshillin e Sigurimit të OKB, por Rusia ka kërcënuar se do të bllokojë rezolutën nëse nuk eliminohen referencat ndaj përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, duke refuzuar autoritetin e Schmidt që është mbikqyrësi kryesor që prej marrëveshjes së Dayton në 1995.

Në raportin e tij të fundit Schmidt, ish-ministër në qeverinë gjermane, paralajmëron se Bosnia përballet me “kërcënimin më të madh të periudhës së pas-luftës”.

Lideri boshnjako-serb Milorad Dodik, kërcënon me tërheqjen e institucioneve të tij nga shteti me tre federata, duke përfshirë dhe tërheqjen nga ushtria e krijuar me asistencën ndërkombëtare në dy dekadat e fundit. Ai thotë se dëshiron një forcë ushtarake vetëm serbe.

Më 14 tetor Dodik tha se do të nxisë ushtrinë serbe “të tërhiqet nga Republika Srpska (gjysma serbe e Bosnies) duke rrethuar kazermat e saj” dhe nëse Perëndimi përpiqej të ndërhynte ai shtoi se “miqtë” e tij do të mbështesnin kauzën, duke supozuar se i referohej Serbisë e Rusisë.

Policia serbo-boshnjake ka kryer muajin e kaluar operacione “anti-terroriste” në malin Jahorina, nga ku forcat serbe bombarduan Sarajevën gjatë rrethimit mizor të viteve 1992-95.

“Kjo është e barazvlefshme me një ndarje të pashpallur,” shkruante Schmidt në raportin për sekretarin e përgjithshëm të OKB, António Guterres.

Ai shtonte se veprimet e Dodik “rrezikojnë jo vetëm paqen e stabilitetin e vendit, por nëse nuk hasin kundërshtime nga komuniteti ndërkomëbtar, mund të çojnë në zhbërjen e vetë marrëveshjes së paqes së Dayton.”

Përfaqësuesi i lartë tha se kishte gjasa për përplasje mes organeve kombëtare boshnjake të ligjit dhe policisë serbo-boshnjake.

“Nëse forcat e armatosura të Bosnie e Herzegovinës ndahen në dy ose më shumë ushtri, do të nevojitej rivlerësim i masës së prezencës ndërkombëtare në vend”, paralajmëron  Schmidt”.

Paralajmërimet e Schmidt u dhanë teksa Këshilli i Sigurimit të OKB përgatit rezolutën vjetore  për mandatet e reja të Eufor e Nato në Bosnie, me votën që nis nesër. Moska ka kërcënuar bllokimin e rezolutës.

FOTO GALERI
1/3
Christian Schmidt, përfaqësues i lartë për Bosnie e Herzegovinën, thotë se nëse separatisët serbë realizojnë kërcënimet e tyre për krijimin e një ushtrie të vetën, forcat e armatosura të vendit do të ndahen

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA