Rekord i rasteve që prej fillimit të pandemisë në Greqi, 5449 raste të reja në 24 orët e fundit

01/11/2021 20:08
Foto ilustruese

Nëntori në Greqi ka nisur me një rekord të ri të pandemisë. Në 24 orët e fundit, Greqia ka regjistruar 5449 raste të reja, shifra më e lartë prej shkurtit të vitit 2020.

19 Njësi Rajonale të vendit, nga 74 gjithsej regjistrojnë një numër treshifror të infektimeve të reja. Gjithashtu me 52 humbjet e fundit të jetës ,edhe numri i viktimave nga koronavirusi ka shkuar në gati 16000 ndërsa rritje të madhe ka edhe tek të intubuarit që kanë prekur shifrën 430, prej të cilëve 364 janë të pavaksinuar.

Mesatarja e shtrimeve në spitale të pacientëve me covid në javën e fundit është 277 persona në ditë dhe mosha mesatare e rasteve është 39 vjeç.

Specialistët e pandemisë kanë shprehur shqetësimin edhe për indeksin e pozitivitetit që ka arritur në 6.6%. Ata edhe njëherë bëjnë thirrje për vaksinimin e popullsisë, ndërsa në Selanik opinioni publik është tronditur nga vdekja e një 38 vjeçareje shtatzënë në muajin e nëntë e pavaksinuar që pas një muaji betejë me koronavirusin, ndërsa të paktën mjekët kanë mundur të kryejnë lindjen e foshnjes në momentet e fundit të jetës së nënës.

Shifrat alarmante janë analizuar në një mbledhje urgjente të kabinetit qeveritar ku janë paraqitur një sërë masash të reja në shqyrtim si më poshtë:

Përforcim i kontrolleve në restorante dhe bare të certifikatave të vaksinimit.

Kontrolle të befasishme dhe të vazhdueshme.

Rritja numrit të testeve të shpejta nga një në dy në javë për nëpunësit e pavaksinuar, gjithmonë me shpenzimet e tyre.

Promovim i fushatës së vaksinimit.

Ndihme nga sektori i shëndetësisë private në përfshirjen e ambienteve spitalore por edhe të mjekëve për shkak të nevojave të shtuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA